Zëdhënsja e LDK-së: Sulmi ndaj mediave është shndërruar në mjet komunikimi nga pushteti politik

Zëdhënsja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj fjalimit të deputetes Pacolli, duke thënë se partitë në pushtet vijnë e shkojnë, por mediat mbesin kujdestare të vlerave të demokracisë

Sibel Halimi, zëdhënëse e LDK-së

Zëdhënsja e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Sibel Halimi, ka reaguar pas fjalimit të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Fitore Pacolli.

Halimi ka thënë se gazetarët në Kosovë sot ballafaqohen me probleme nga më të ndryshme. Kërcënimet, shantazhet e madje edhe sulmet fizike janë bërë përditshmëri për punën e tyre.

Mirëpo, siç thotë ajo, përkundër sfidave të ndryshme, gazetarët e bëjnë të mundur jetësimin e vlerave fundamentale të lirisë së shprehjes.

“Falë sensit qytetar dhe guximit të tyre për të kritikuar, bëhen zëri më i artikuluar i problemeve që sot i kanë qytetarët e vendit”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Sipas saj, sulmi ndaj mediave është shndërruar në mjet komunikimi nga pushteti politik.

“Praktikë kjo, e njohur, kur një qeverisje demonstron paaftësi, gjithmonë bart problemin te mediat. Në shoqëritë demokratike mediat janë pasqyrë e qeverisjes së mirë, mirëpo, për partinë në pushtet është ballafaqimi i vërtetë i realitetit të hidhur, e cila vështirë të pranohet”, ka shtuar tutje Halimi.

Sipas Halimit, partitë në pushtet vijnë e shkojnë, por mediat mbesin kujdestare të vlerave të demokracisë.

Ndryshe, të enjten e 14 korrikut, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi, ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin masa lidhur me funksionimin dhe transparencën e disa mediave private.

Kjo për shkak se, sipas saj, mediat në Kosovë po bëjnë shantazhe politike.

Gjatë fjalimit të saj në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ajo ka theksuar se kjo gjë, të cilën ajo e konsideron “shqetësuese”, është përmendur edhe në rezolutën e fundit për Kosovën të miratuar nga Parlamenti Evropian, gjë që sipas saj, nuk kishte ndodhur më parë.

“Një gjë shqetësuese që përmendet në Rezolutën e fundit, dhe që nuk është përmendur asnjëherë në Rezolutat e mëparshme edhe si qeveri duhet të merren masa, është se vitet e fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online që po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik”, ka thënë ajo.

“Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funskionimin e mediave, me transparencën si dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka shtuar Pacolli.

Megjithatë, ajo ka potencuar se Rezoluta ka mirëpritur emërimin e Brodit të ri të tansmetuesit publik të RTK-së, “në mënyrë transperente dhe të bazuar në media”.

Ndërkaq, deputetja e partisë në pushtet, po ashtu, ka theksuar se kjo është hera e parë që një raport për Kosovën merr kaq shumë mbështetje.

Madje nuk la pa përmendur mbështetjen e eurodeputetëve gjatë fjalimeve të tyre, të cilët sipas saj, kanë vlerësuar lart punën e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Ndryshe, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, e ka miratuar raportin për Kosovën, në të cilin kërkohet heqja e vizave për shtetasit e Kosovës.

Nga 57 eurodeputetë që kanë marrë pjesë në votim, 43 kanë votuar pro, nëntë kundër dhe pesë kanë abstenuar.

Në draftin e raportit që e kishte prezantuar më parë raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, është përsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.

Në tekstin e këtij dokumenti i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

Në dokument përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim.

Deputetja e LVV-së thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të “marrin masa ndaj mediave”

,

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika