Pa normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe implementimit të marrëveshjeve, Kosova nuk mund të shpresojë për investime serioze të huaja direkte, ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka, për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se zyrtarët të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë vënë në pikëpyetje seriozitetin e Qeverisë së Kosovës për sa i përket ruajtjes së raporteve të veçanta me ShBA-në, krejt kjo sipas tij, “për shkak të moszbatimit të zotimeve të cilat Qeveria e Kosovës i ka marrë para partnerëve ndërkombëtarë”.
“Mendoj që kjo krisje e raporteve nuk ndodh vetëm me SHBA, ndodh edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe BE-në. Për të rikujtuar, Kosova momentalisht u nënshtrohet sanksioneve ose masave ndëshkimore të vena nga BE-ja. Në disa shkresa, ose paraqitje, ose deklarata të zyrtarëve më të lartë të SHBA-së, realisht është vënë në pikëpyetje serioziteti i Qeverisë së Kosovës për sa i përket ruajtës së raporteve të veçanta me SHBA-të, dhe krejt kjo vijnë për shkak të moszbatimit të zotimeve të cilat Qeveria e Kosovës i ka marrë para partnerëve ndërkombëtarë, që në masa të madhe kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve me Serbinë”.
Zeka ka thënë se Qeveria e Kosovës, si shkak i moszbatimit të zotimeve të saja, ka pasur krisje të raporteve jo vetëm me ShBA-në, por edhe vendet e Bashkimit Evropian (BE).
“Ekziston një korrelacion direkt ndërmjet këtij problemi të hapur, ndërmjet mosrealizimit të normalizimit të raporteve me Serbinë edhe që pengon pastaj edhe zhvillimi në rrafshin ekonomik. Edhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Oda Amerikane e ka bërë me dije që pa arritjen e një normalizimi ndërmjet raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ose edhe një normalizimi ekonomik siç ka qenë edhe kërkesë e zyrtarëve më të larët të SHBA, Kosova nuk mund të flasë për tërheqjen e investimeve serioze të huaja. Për ardhjen e korporatave serioze në vend, meqenëse çfarëdo çështje e hapur, çfarëdo mundësi për eskalim të këtyre problemeve në konflikte vdekjeprurëse, natyrisht që i frikës këta investitorët. Ky është mëkati me i madh që i bëhet përpjekjeve tona për tërheqjen e investimeve të huaj në vend”, ka thënë ai.
Sipas Zekës, nga masat e vendosura nga BE-ja, që tani janë bërë një vit nga vendosja e tyre, vendi ka humbur qindra miliona euro investime.
Ai ka shtuar se vendi është në rrezik që të humbasë edhe mijëra euro që mund të përfitojë nga plani i ri zhvillimor për Ballkanin Perëndimor, kjo për shkak se qeveria nuk është duke mbajtur fjalën për dakordimet që ka dhënë.
“Është bërë gati një vit prej kur se janë vënë këto masa ndëshkimore, ose sanksione siç po i referohemi më thjesht, të vëna nga BE-ja, është folur për qindra milionë euro të humbura, të cilat nuk kanë mundur të vijnë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, të reformimit të administratës publike, reformimit të mjedisit, edhe reformave të tjera që do të zbatoheshin nga këto fonde. Tash jemi në një situatë tjetër, jo më larg se gjatë kësaj javë pati një shqetësim të shprehur për sa i përket edhe mundësisë se mospërfitimit nga plani zhvillimor në vlerë prej miliarda euro për shtete e Ballkanit Perëndimor. Paramendoni një situatë të tillë që njëri prej dy tri shteteve të varfra në kontinentin e Evropës, humbet mundësi, për shkak se drejtuesit e vendit dështojnë të mbajnë fjalën e tyre ose t’i implementojnë që kanë ndërmarrë para BE-së”, ka theksuar Zeka.
Kryetari i OEK ka thënë se Qeveria e Kosovës, me vendimin që të ndalojë importin e mallrave që vijnë nga Serbia dhe vendimin për futjen në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka treguar një qasje destruktive të qeverisë dhe të pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se Qeveria Kosovës, duke marrë parasysh fuqinë që ka ShBA-ja dhe shtetet e BE-së, duhet që t’i marrë shumë seriozisht deklaratat e tyre.
“Qeveria e Kosovës para një viti ka vendosur edhe një ndalës për sa i përket importimit të mallrave të cilat prodhohen në Serbi, për të cilat Oda Amerikane e ka bërë fare të qartë që atakon në masë të madhe fabrikat që janë në pronësi të kompanive ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të SHBA-së. Qasja e tillë destruktive e institucioneve të vendit, ndërmarrja e vendimeve të tjera unilaterale siç është edhe rregullorja e BQK-së, për kufizimin e qarkullimit të valutave huaja, realisht janë parë si destruktive, janë parë si të pakoordinuara edhe me SHBA-në edhe me BE-në. Të dy këto janë akterë goxha seriozë edhe në aspektin e ruajtjes dhe zhvillimit të marrëdhënieve ndërshtetërore edhe ndërkombëtare. Edhe rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës duhet t’i merr deklaratat e tyre me seriozitet më të madh. Megjithatë, fuqia e këtyre dy shteteve, SHBA dhe BE është shumë me e madhe sesa mund të perceptohet aktualisht nga ana e Qeverisë se Kosovës”, ka përfunduar Zeka./EO