Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka thënë liderëve të Bashkimit Evropian se Vladimir Putin duhet të ndalojë kërkesat e tij të panevojshme në bisedimet për paqe.
Zelensky dhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store po mbajnë një konferencë shtypi në Oslo pas takimit të tyre. I pyetur për mundësinë e një armëpushimi, Zelensky ka theksuar se hapi i parë duhet të jetë ndalimi i agresionit rus nga toka dhe deti, duke e cilësuar këtë si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund luftës.
Pas takimit me SHBA-në në Arabinë Saudite, ai ra dakord për një armëpushim 30-ditor në tokë, det dhe ajër.
Ndërkohë, të martën, gjatë një bisede telefonike mes Putinit dhe Donald Trump, Moska dhe Uashingtoni diskutuan për një armëpushim të përkohshëm në objektet energjetike.
Për këtë, zyrtarë të Ukrainës dhe SHBA-së do të takohen në Arabinë Saudite, para se negociatorët rusë dhe amerikanë të zhvillojnë bisedime të hënën.
I pyetur nëse Ukraina do të bënte lëshime territoriale, përfshirë Krimenë, Zelensky u përgjigj prerazi: “Ky është një gadishull ukrainas”.
Ai ka shtuar se i ka shpjeguar edhe Trump-it dashurinë e ukrainasve për Krimenë, duke theksuar se ajo është një pjesë e pandashme e Ukrainës.
Krimea njihet ndërkombëtarisht si territor ukrainas, pavarësisht pushtimit nga Rusia dhe aneksimit të saj të pretenduar në vitin 2014.