Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është larguar prej Shtëpisë së Bardhë, pas një diskutimi të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump.
Zelensky i ka kërkuar Trumpit të jetë më i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa Trump e ka akuzuar se nuk është duke treguar respekt, dhe si rezultat është tensionuar situata.
Dy liderët janë takuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, dhe ishte planifikuar që të nënshkruanin një marrëveshje që do t’iu jepte qasje Shteteve të Bashkuara në industrinë e mineraleve të Ukrainës.
Një konferencë e planifikuar për media, veçse është anuluar.
Trump ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Social Truth se “presidenti Zelensky nuk është gati për paqe, nëse në të përfshihet Amerika, sepse ai beson se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata”.
“Nuk dua avantazh, dua PAQE. Ai nuk i ka respektuar Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”, ka thënë mes tjerash Trump.
Çfarë ndodhi?
Zelensky e ka sfiduar hapur Trumpin për qasjen, siç ka thënë ai, të butë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Zelensky i ka hedhur poshtë pretendimet e Trumpit se qytetet ukrainase janë kthyer në gërmadha pas tre vjetëve të luftës. Trump, në anën tjetër, ka thënë se Putin dëshiron të arrijë një marrëveshje.
“Nuk jeni duke u treguar falënderues. Nuk është gjë e mirë”, ka thënë Trump, i cili ka marrëdhënie të vështirë me Zelenskyn, prej kur ky i fundit është zgjedhur president më 2019.
“Në këtë situatë do të jetë shumë e vështirë që të bëjmë biznes”, ka shtuar ai.
“Jeni duke luajtur bixhoz me jetët e miliona njerëzve”, ka thënë Trump.
“Jeni duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, dhe kjo që po bëni është shumë pa respekt ndaj shteti që ju ka mbështetur shumë më shumë sesa njerëzit e thonë”.
Në një situatë të pazakonshme, Trump dhe Zelensky e kanë ndërprerë njëri-tjetrin dhe presidenti amerikan i ka thënë homologut të tij, “shteti juaj është në telashe të mëdha. Nuk jeni duke fituar… keni mundësi të dilni prej kësaj situate me ndihmën tonë, sepse ju nuk i keni kartat në duart”.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance është përfshirë në diskutime, dhe i ka thënë Zelenskyt se nuk është e hijshme që të mbajë këtë qëndrim në Shtëpinë e Bardhë.
“Njerëzit janë duke vdekur, jeni duke mbetur pa ushtarë”, i ka thënë Trump Zelenskyt, teksa diskutimi ka degjeneruar me ngritje të zërit.
Trump i ka thënë Zelenskyt se ai, ose duhet të arrijë një marrëveshje, ose SHBA-ja tërhiqet.
Zelensky i ka bërë thirrje Trumpit të mos bëjë “kompromise me një vrasës” duke iu referuar liderit rus.
Para këtij shkëmbimi, Zelensky u ka thënë gazetarëve brenda Shtëpisë së Bardhë se shpreson që marrëveshja për minerale do të jetë një hap përpara për Ukrainën dhe që dëshiron të diskutojë më në hollësi me Trumpin se çfarë mund të bëjë SHBA-ja për vendin e tij.
Trump ka thënë se marrëveshja do të jetë “shumë e drejtë” dhe që armëpushimi në luftën e Rusisë kundër Ukrainës është “afër”. Presidenti amerikan ka thënë se Ukraina do të duhet të bëjë kompromise.
Zelensky i ka treguar Trumpit fotografi të mizorive ruse dhe ka thënë se “nuk duhet të ketë kompromise me një vrasës të shtetit tonë”.
Takimi është zhvilluar më pak se 10 ditë pasi Trump e ka quajtur Zelenskyn diktator dhe ka sugjeruar gabimisht se Ukraina e ka nisur konfliktin, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.
Megjithatë, dy liderët janë zmbrapsur nga lufta e fjalëve, teksa janë përgatitur për t’u takuar ballë për ballë./Radio Evropa e Lirë