Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në ditën e njëvjetorit të luftës në Ukrainë, ka adresuar herët në mëngjes një thirrje drejt ukrainasve.
“Më 24 shkurt, miliona prej nesh bënë një zgjedhje. Jo një flamur i bardhë, por një flamur blu dhe i verdhë. Jo duke ikur, por duke u përballur. Përballë armikut. Rezistencë dhe luftë”, ka thënë Zelensky.
Ndërsa, vitin në të cilin Ukraina është përballur me luftën me Rusinë e ka quajtur “Vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe bashkimi”.
“Ishte një vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe bashkimi. Dhe ky është një vit i pathyeshmërisë sonë. Ne e dimë se ky do të jetë viti i fitores sonë”, është shprehur ndër të tjera Zelensky, shkruan BBC.
Presidenti ukrainas njashtu ka mbajtur edhe fjalim në nisje të ditës së njëvjetorit të agresionit rus në Ukrainë, ku përmes këtij fjalimi, ai ka falënderuar ushtrinë, mjekët, vullnetarët dhe partnerët e huaj që ndihmuan Ukrainën që t’i bëjë rezistencë agresionit rus.
Duke e quajtur vitin e luftë, vit të pathyeshmërisë, ai u shpreh i bindur se Ukraina do të luftojë për fitore gjatë vitit 2023.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar fitoren këtë vit”, ka thënë ai.
“Ne i rezistojmë të gjitha kërcënimeve, granatimeve, bombave thërrmuese, raketave të lundrimit, dronëve kamikazë, ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe të ftohtit. Ne jemi më të fortë se kaq”, ka theksuar ai.