Në një konferencë ndërkombëtare dyditore mbi rindërtimin e Ukrainës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në mënyrë virtuale është shprehur se, rindërtimi i Ukrainës është një “detyrë e përbashkët” e botës demokratike.
“Rindërtimi i Ukrainës nuk është një projekt lokal. Nuk është një projekt i një kombi, por një detyrë e përbashkët e të gjithë botës demokratike, të gjitha vendeve që mund të thonë se janë të civilizuar”, u shpreh Zelensky në fjalimin e tij gjatë Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës në Lugano të Zvicrës.
Për Zelenskyn rikthimi i vendit të tij do të thotë rivendosje e parimit të jetës, dhe rikthim i hapësirës së jetës, për të cilin ky rindërtim nënkupton mundësi për vendin, kompanitë dhe specialistët për të treguar pse liria është me e fuqishme se çdo tirani.
Një njoftim tjetër erdhi gjatë ditës së hënë nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen se Bashkimi Evropian ka propozuar ngritjen e një platforme rindërtimi për të ndihmuar qeverinë ukrainase të rindërtojë vendin pas luftës me Rusinë.
“Komisioni Evropian i ka propozuar qeverisë së Ukrainës të krijojë një platformë rindërtimi për të hartuar nevojat për investime, dhe për të koordinuar veprimet,” u shpreh Von der Leyen.
Sipas Von der Leyen, kjo platform e rindërtimit do të jetë vendi për të formuar orientimet strategjike dhe prioritetet për punën e përbashkët mes vendeve.
Gjithashtu Von der Leyen ka thënë se platforma do të përqendrohet në rindërtimin e të ardhmes, duke lëvizur drejt neutralitetit të klimës, duke mbajtur dekadën dixhitale dhe duke ndërtuar një ekonomi të tregut social që nuk do e lërë askënd pas”.
Ndër të tjera presidentja e Komisionit Evropian, ka shtuar se qëllimi I Kremlinit është që të minojë ekzistencën e Ukrainës si shtet poashtu të bëjë shkatërrimin ushtarak, politik dhe ekonomik, ku ajo shtoi se Bashkimi Evropian nuk do e lejojë një gjë të tillë asnjëherë.
BE-ja ka mbledhur 6.2 miliardë euro për mbështetje financiare ka bërë të ditur Ursula Von der Leyen.
Ndërkaq, nevojën për ndihmë financiare e ka shprehur edhe kryeministri ukrainas Denys Shmyhal gjatë fjalimit të tij në konferencë, duke thënë se plani i rimëkëmbjes së vendit do të kushtojë rreth 750 miliardë dollar.
“Kush duhet të paguajë për planin e rimëkëmbjes, i cili tashmë vlerësohet në 750 miliardë dollarë? Ne besojmë se burimi kryesor i rimëkëmbjes duhet të jenë pasuritë e konfiskuara të Rusisë dhe oligarkëve rusë. Autoritetet ruse nisën këtë luftë të përgjakshme. Ata e shkaktuan këtë shkatërrim masiv dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi për të”, ka thënë Shmyhal gjatë konferencës.
Sipas kryeministrit ukrainas, burime të tjera financimi për planin e rimëkëmbjes duhet të përfshijnë grante dhe kredi të buta nga organizatat financiare ndërkombëtare dhe vendet partnere, investime të sektorit privat dhe kontribute jashtë buxhetit nga individë dhe korporata, si dhe fondet e buxhetit të Ukrainës.
Kryeministri tha gjithashtu se humbjet direkte të infrastrukturës së Ukrainës arrijnë në më shumë se 100 miliardë dollarë.
Ndër të tjera me mijëra institucione kanë mbetur të shkatërruara, më shumë se 1 mijë e 200 institucione arsimore, më shumë se 200 spitale, dhe mijëra kilometra tubacione të gazit, ujit dhe rrjetit elektrik, ka bërë të ditur Shmyhal.