Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka vizituar forcat ukrainase që luftojnë në vijën e frontit që kalon nëpër rajonin lindor të Donetskut dhe jugun e vendit, duke dekoruar trupat në një ditë në të cilën ka thënë se forcat e tij kishin “përparuar në të gjitha drejtimet”.
“Kjo është një ditë e lumtur. Ua uroj djemve më shumë ditë si kjo”, ka thënë Zelensky në një mesazh optimist për kombin e tij pas vizitës në linjat e frontit.
“Ishte një ditë e ngarkuar, me shumë emocione… Unë isha i nderuar të shpërbleja luftëtarët tanë, t’i falënderoja ata personalisht, t’u shtrëngoja duart”, ka thënë tutje Zelensky në fjalimin e tij të natës në një video e cila u publikua në orët e para të së martës.
Presidenti ukrainas ka thënë gjithashtu se kishte folur për furnizimet me armë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
“Sot isha në zonën ku këto armë do t’i japin më shumë fuqi, më shumë mbrojtje jetëve të ukrainasve. Dhe sillni fitoren tonë më afër, kjo është gjëja kryesore. E gjithë toka jonë do të jetë e lirë – e gjitha”, ka thënë ai, raporton Al Jazeera.
Zyra e presidentit ka postuar katër video të udhëtimit të Zelensky të hënën, të cilat ai ka thënë se mbuluan “qindra kilometra” dhe dukej se prezantonin takime me trupat e tij në të paktën tri vende në vijën e frontit.
Ndërveprimet e liderit ukrainas me forcat e tij dhe komentet pozitive për kundërsulmin e vazhdueshëm të Ukrainës ishin në kontrast të fortë me trazirat në Rusi pas rebelimit jetëshkurtër të fundjavës nga forcat mercenare të grupit rus “Wagner”.
Një vend i vizituar nga Zelenskyy ishte në rajonin lindor të Donetskut, i cili ka qenë një pikë qendrore e luftimeve në luftën 16-mujore. Një tjetër ndodhej në atë që përshkruhej si sektori Berdyansk në jug të vendit – në zonat ku forcat ukrainase kanë kapur fshatra. Një vend i tretë ishte gjithashtu në frontin jugor, më në perëndim.
Videoja e parë tregoi Zelensky-n duke shpërndarë çmime ushtarake në një vend të brendshëm të panjohur dhe duke parë hartat me Oleksandr Syrskyi, komandantin e forcave tokësore të Ukrainës.
“Kam nderin të jem këtu sot, të flas me komandantin dhe para së gjithash faleminderit, faleminderit që mbroni vendin tonë, sovranitetin, familjet tona, fëmijët, Ukrainën”, tha Zelenskyy në video.
Një video e dytë tregoi Zelensky-n në një pikë karburanti ku pinte kafe me ushtarët. I veshur me bluzën e tij tipike ushtarake, ai qëndroi përkrah trupave në një radhë në një banak dhe pozoi për foto me ushtarët dhe gratë që punonin atje.
Në videon e tretë, Zelenskyy shpërndau dekorata, pozoi me ushtarë dhe ekzaminoi përsëri hartat me oficerët. Bumet e forta oshtinin të paktën dy herë gjatë videos.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes ukrainase, Hanna Malyar, ka njoftuar se forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e 130 kilometrave katrorë në jug të vendit.
Ajo gjithashtu ka theksuar se ushtria ukrainase po avancon në qytetet e Melitopolit dhe Berdyans’k në rajonin Zaporizhzhia, duke u përballur me rezistencën e ashpër ruse dhe humbje “të konsiderueshme” në njerëz dhe pajisje.
Sipas saj, përgjatë vikendit, zona e territoreve të çliruara është rritur për 17 kilometra katrorë.