Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se situata në qytetin Bakhmut, në vijën e frontit lindor, po bëhet “gjithnjë e më e vështirë”.
Forcat ruse janë përpjekur të marrin qytetin për më shumë se gjashtë muaj.
“Armiku po shkatërron vazhdimisht gjithçka që mund të përdoret për të mbrojtur pozicionet tona”, ka thënë Zelensky, shkruan BBC.
Vërejtjet e liderit ukrainas erdhën pasi sekretarja e Thesarit e ShBA-së, Janet Yellen paralajmëroi Kinën kundër armatimit të Rusisë gjatë një vizite në Kiev të hënën.
Disa nga luftimet më të ashpra që kanë ndodhur qëkur Rusia pushtoi Ukrainën pak më shumë se një vit më parë, janë zhvilluar në Bakhmut, në rajonin e Donetskut të Ukrainës, një pjesë e të cilit është nën kontrollin e Rusisë dhe aleatëve të saj separatistë.
Kohët e fundit përpjekjet e forcave ruse për të kapur qytetin industrial janë intensifikuar.
Presidenti Zelensky bëri thirrje edhe një herë që të dërgohen avionë luftarakë modernë në mënyrë që “i gjithë territori i vendit tonë” të mbrohet nga “terrori rus”.
Në vizitën e saj të papritur në Kiev të hënën, Janet Yellen njoftoi transferimin e fundit prej 1.25 miliardë dollarë në ndihmë ekonomike dhe buxhetore për Ukrainën.
Yellen përsëriti mesazhin e presidentit amerikan Joe Biden – të bërë gjatë vizitës së tij në Kiev javën e kaluar – se Washingtoni do të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa duhej për të fituar luftën.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.