Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Holandë të mërkurën vonë, për një udhëtim të paparalajmëruar më parë.
Ai arriti në aeroportin e Amsterdamit me një aeroplan të qeverisë holandeze, i cili vinte nga Helsinki dhe më pas u drejtua në një autokolonë drejt Hagës nën shoqërimin e policisë.
Ndërkaq, ishin ligjvënësit holandezë ata që konfirmuan në Twitter se një takim me presidentin ukrainas ishte planifikuar në Hagë të enjten.
Mediat holandeze raportuan se ai do të takohet gjithashtu me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe do të mbajë një fjalim në Hagë. Raportohet se është planifikuar gjithashtu një vizitë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Gjykata e mbështetur nga OKB-ja ka nisur hetimet për krimet e mundshme të luftës të kryera nga Rusia dhe në mars lëshoi një urdhërarrest ndërkombëtar për presidentin rus, Vladimir Putin.
Vizita e presidentit ukrainas, Zelensky nuk u njoftua paraprakisht dhe shënon vizitën e parë të liderit ukrainas në Holandë.
Më parë, ai ishte takuar me liderët nordikë në një samit në Finlandë, në të cilin, ata premtuan mbështetjen e tyre për liderin ukrainas për aq kohë sa të ishte e nevojshme. Holanda deri tani i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake prej rreth 1.2 miliardë euro, duke ndihmuar Ukrainën që të mbrohet kundër pushtimit të plotë të Rusisë, raporton REL.
Ndërkaq, sipas raportimeve të BBC-së, shpërthime janë dëgjuar në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës, një ditë pasi Rusia akuzoi Ukrainën për kryerjen e një sulmi me dron në Kremlin.
Sulmet ajrore vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të flasë në Hagë si pjesë e një vizite të papritur në Holandë.
Ai do të vizitojë gjithashtu Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e cila po heton krimet e dyshuara të luftës ruse në Ukrainë.
Rusia ka akuzuar Ukrainën për përpjekje për ta vrarë presidentin Vladimir Putin, por Zelensky mohoi që vendi i tij ta ketë kryer sulmin.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt të vitit të kaluar.