Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, vendimin e Spitalit të Gjakovës “Isa Grezda” për ndërprerjen e punës në sallat operative si shkak i temperaturave të larta, pushimeve vjetore dhe mungesës së kushteve optimale për punë e ka quajtur skandaloze.
“Vendimi i Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për ndalimin e operacioneve – programit të ftohtë gjatë muajve te verës është i papranueshëm, i dëmshëm, skandaloz”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Ai e ka fajësuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për këtë situatë duke thënë se përgjegjësia politike e tij është “e pakontestueshme”.
“O ministër i shëndetësisë, a je gjallë. A mos ke dhënë prapë dorëheqje? Nëse po, a kthehesh prapë ministër? Nëse jo, a je ministër edhe kur janë temperaturat e larta? A do të jesh ministër edhe kur të jenë temperaturat e ulëta? Ku je ministër i vendimeve që e dëmtojnë shëndetin dhe nuk ofrojnë shërbime për pacientët”, ka shkruar Zemaj.
Sipas tij, një vendim i tillë është “për keqardhje për një shoqëri që problemin më të madh e ka mbijetesën, mirëqenien dhe qasjen minimale për shërbime shëndetësore”.
“Hiq më larg se dje, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale adresuam problemet e shumta, ku njëra ndër to ishte edhe lista e gjatë e pritjes për të marrë shërbimet shëndetësore. E zotimi i pushtetit ishte që do të angazhohen në këtë drejtim, ndërsa nuk vonon shumë Spitali i Gjakovës, që është nën menaxhim të pushtetit merr një vendim krejt të kundërt nga zotimi i udhëheqësve të tyre. Përgjegjësia politike e ministrit të shëndetësisë është e pakontestueshme”.
Ndryshe, Spitali i Gjakovës “Isa Grezda” ka marrë vendim që nga 7 korriku të ndërpresë punën në sallat operative, pos për raste urgjente, ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, por edhe të temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale për punë.
Në lidhje me këtë pezullim në spitalin e Gjakovës ka folur në “Rreth e Rrotull” zyrtari për informim në këtë spital, Besart Gashi.