Avokati i Nagip Krasniqit, Taulant Ferizi, ka thënë se nuk është shkatuar asnjë dëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke marrë parasysh se nuk janë ekzekutuar kontratat për të cilat është në paraburgim ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëheresh ish-ministri i Shëndetësisë, për këtë ka thënë se i takon avokatit Ferizi ta mbrojë klientin e vet, Nagip Krasniqin.
“Por, në aspektin e menaxhimit, ne kemi ngritur këto shqetësime qysh në vitin e kaluar, kur nuk ka funksionuar blloku A5… Edhe atëherë, edhe në Komisionin Hetimor që është bërë, kemi pasur fakte që kjo është ndërprerë me këshillat e disa këshilltarëve politikë, të cilët nuk kanë pasur kompentencë menaxheriale, dhe menaxhmenti i Korportës Energjetike të Kosovës duke i marrë këto këshilla dhe duke i ndërprerë këto tendere, atëherë dëmi është bërë milionësh i Kosovës. Duke blerë energji, ku brenda ditës ndoshta është dashur 150 mijë euro dhe brenda muajit më shumë se 4 milionë e gjysmë… Ne kemi thënë që Kosova, buxheti i Kosovës, për shkak të këtij keqmenaxhimi, ka paguar miliona e miliona euro”, ka thënë Zemaj në “Debat Plus“.