Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar lidhur me rikthimin e Arben Vitisë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.
Përmes një postimi, Zemaj ka kritikuar rikthimin e Vitisë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë, duke thënë se “Ministri i Shëndetësisë nuk ndryshon. Qasja nuk ndryshon. Ndaj, dështimi e degradimi vazhdon”.
“Zoti i ruajt mjekët e infermierët e mbetur në vend si dhe pacientët që kanë nevojë për shërim!”, ka shkruar tutje Zemaj.
Këtë të hëne, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë vendim që Arben Vitia të jetë përsëri ministër i Shëndetësisë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e kishte lënë këtë post për të garuar për të parin e kryeqytetit, ishte duke punuar në një ordinancë private.
Vitia i kishte humbur zgjedhjet për të parin e kryeqytetit në balotazh kundër kryetarit aktual, Përparim Rama.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitin, ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në komunikatën zyrtare nga Zyra e Kryeministrit.