Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka asnjë ide për sektorin e shëndetësisë, pasi sipas tij, nuk është paraqit një platformë se si të punohet në këtë sektor.
“Nuk ka logjik, nga qeveria akoma nuk është paraqit një platformë se si të punohet në sektorin e Shëndetësisë, nuk ka ide, ka raste që merren vetëm sa për selektive ose edhe tentativa që të flitet në procese makro, andej kem probleme ditore, ku çdo ditë mungojnë barna mungon tretmani, ikja e mjekëve e shumë gjëra të tjera”, është shprehur Zemaj.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Zemaj ka thënë se për të funksionuar dhe menaxhuar këtë sektor “duhet vizion, përkushtim, mbështetje, buxhet dhe jo fjalë e mashtrim dhe ofendim, krijim të kushteve për profesionistët shëndetësor”.
Zemaj në një konferencë për media të premten, e ka quajtur të dobët ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ka dhënë dorëheqje.
Në intervistë për RTV Dukagjinin në emisionin FIVE, Zemaj ka thënë se ata të cilët dorëzohen nga menaxhimi i një institucioni apo një projekti nuk kanë ndonjë emër tjetër përveçse të quhen të dobët.
Sipas tij, logjika e këtyre ngjarjeve “është paaftësia qeverisëse, nga e cila ka buruar nga një vizion shkurtpamës, pabashkëpunim, injorancë, paenergji, padinamik, arrogancë, domethënë të gjitha këto elemente e kanë prekur sektorin më sensitiv që është në Kosovë, që nuk është dashtë të menaxhohet në këtë mënyrë”.
“Ministri i tretë i Shëndetësisë më i dobët se i pari dhe i dyti”
Deputeti i LDK-së, Zemaj ka parashikuar se ministri i radhës në Ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, do të jetë më i dobët se dy të ministrat e kaluar nga qeveria e tanishme.
“Ministri i dytë më i dobët se i pari, ndërsa, i treti të jeni të bindur është më i dobët se i pari dhe i dyti”, ka deklaruar Zemaj.
Po ashtu, ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi sipas tij i takon atij që të menaxhojë situatën.
“Nga jashtë duket se është mosmenaxhim fare, sepse jo vetëm që ka keqmenaxhim sepse nga e afërmja do të lindin edhe afera të ndryshme që do të dalin në sipërfaqe që fatkeqësisht shkojnë në kurriz të qytetarit, dhe të pacientit, qoftë me keqpërdorime qoftë me keqmenaxhime, këto janë toleruar nga vet kryeministri, duke favorizuar individë edhe duke tentuar që ta blejë një farë paqe të këto grupacione të LVVS-së por, duke viktimizuar dy ministra siç i viktimizoi dy deri më tani, fatin e të tretit do ta shohim në vazhdimësi”, ka thënë tutje Zemaj.
Ndërkaq, sipas Zemajt gjatë 18-të muajve të qeverisë së tanishme raporti i institucioneve publike me institucionet private “ka ndryshuar si asnjëherë më parë në gjitha këto vitet e pas luftës. Janë dëmtuar institucionet publike shëndetësore, dhe janë tepër të suksesshme privatet, nuk ka diçka të keqe, por në këtë rast kur qytetarët përjetojnë një varfëri dhe kostoja e jetesës është e papërballueshme, orientimi dhe gjithë kjo mbështetje që shkon nga parat e taksapaguesve orientohet në marrjen e shërbimeve të shpejta në sektorin privat dhe një neglizhencë tejet e theksuar në sektorin publik”.
Gjithashtu, sipas tij, është e palogjikshme, si është e mundur të rritet mundësia ose numri i operacioneve në sektorin privat dhe të zvogëlohet skajshmërisht në institucionet publike shëndetësore.