Deputeti i Lidhjes Demorkatike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, se në kurriz të qytetarëve po i rrit të hyrat e buxhetit të shtetit.
Sipas tij, me rritjen e çmimeve është rritur edhe tatimi për ato produkte, dhe si pasojë po dëmtohen qytetarët.
“Qeveria po del dhe krenohet që i ka rritur të hyrat buxhetore në kurriz të qytetarëve, sa herë që krenohet që po mbushet buxheti, krenohet që po e bën me paratë e juaja, po merr më shumë tatime duke soditur rritjen e çmimeve”, ka thënë ai.
Ai e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, për të cilën ka thënë se është qeveria që po merr më së shumti tatime nga cdo qeveri tjetër në të kaluarën.
“Qytetarët përpos që kanë paguar rrymën më shtrenjtë kanë paguar edhe tatimin më shumë, që është përcjellë në mënyrën më jotransparente. Kur çmimi i naftës në treg ishte 1 euro, qeveria mblidhte 14 cent për litër, kur tash 1.85 euro mbledh 27 cent për litër, që është gati dyfish rëndesë”, ka thënë ai.
Zemaj i ka propozuar disa pika për Qeverinë e Kosovës si, reduktimin e akcizës dhe derivateve për tre muaj dhe tre muaj të tjerë në rast nevoje, zgjerimin e listës së produkteve të domosdoshme me normë tatimore të reduktuar, indeksimin e pagave të përfitimeve sociale dhe pensionale për produktet bazike dhe subvencionet për bujqësi.
Zemaj ka theksuar se nëse nuk miratohen këto pika, LDK-ja do të detyrohet të votojë pro tërheqjes së kursimeve nga Trusti Pensional.