Kryetari i Zubin Potokut sot e ka ushtruar detyrën e tij në zyrat komunale për komunitete në fshatin Çabër.
Ai në “Debat Plus” ka thënë se i ka dëgjuar rekomandimet e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Po ashtu, ai theksoi se dëshiron të jetë në harmoni edhe me Qeverinë e Kosovës.
“Sot ka qenë diçka pak më e qetë se dje. Unë kam dalë në zyrën komunale për komunitete në fshatin Çabër. Marrim informacione përreth komunës, gjatë ditës kemi punuar në ato zyre. Ne do t’i dëgjojmë edhe rekomandimet e ambasadorit amerikan. I kemi disa obligime tona, unë i kam kompetencat kushtetuese, por dëshiroj të jemi në harmoni me Qeverinë dhe ndërkombëtarët”, ka thënë ai.
Zeqiri theksoi ambasadorit amerikan i ka thënë se e drejta është te ata e jo te protestuesit në veri të vendit.
“Ne kemi të drejtë kam thënë dhe se çfarë do të bëjë është se të gjitha objektet që janë të qytetarëve dhe shtetit i takojnë Kosovës, nuk i takojnë bandave, as atyre shërbimeve sekrete të Rusisë dhe Serbisë, por i takojnë Kosovës. Kushdo që thotë ndryshe, për mua është diçka e papranueshme sepse institucionet, objektet janë të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai tha se këto ditë nuk është dëgjuar me kryeministrin Albin Kurti, kurse me ministrin Elbert Krasniqi ka komunikuar dje pasdite.