Imer Zeqiri, tashmë ish-kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me shkarkimin e tij duke thënë se nga mediat e ka kuptuar se është mbajtur takim i Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj sindikate ku është vendosur për shkarkimin e tij. E për shkarkimin e tij, Zeqiri ka deklaruar se është e ‘habitshme’ kur në komunikatën e lëshuar për media nga Sindikata e PK-së nuk janë përmendur arsyejet e shkarkimit të tij dhe nuk janë bërë ato publike.
Takimin për të cilin ka deklaruar se nuk ka qenë i njoftuar, Zeqiri e ka cilësuar në kundërshtim me Statutin, si akti më i lartë juridik i Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe në kundërshtim me parimet etike e fisnike të një strukture të tillë.
Zeqiri ka thënë se veprimi i sotëm është një “puç” i përgatitur kohë më parë.
“Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë. E lexova komunikatën e lëshuar dhe është e habitshme se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin tim. Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike? Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi. Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?”, ka shkruar ai.
Sipas tij, në një proces të rregullt me prezencën e tij, do ta pranonte çfarëdolloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, ka shtuar se ti tillë, “pas shpine” nuk mund ta pranojë.
Zeqiri ka thënë se takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme.
“Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj. Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim. I falënderoj anëtarët e sindikatës dhe pjesëtarët e policisë për shumë mesazhe e thirrje përkrahëse që më kanë bërë këto ditë”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Sindikata e Policisë së Kosovës ka votuar të dielën për shkarkimin e kryetarit të saj, Imer Zeqiri.
Në një njoftim nga sindikata thuhet se në Kuvendin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Këshilli Drejtues i Sindikatës është votuar për shkarkimin e Zeqirit.
Shkarkohet kryetari i sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri