Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një intervistë në edicionin special për votimet në veri në RTV Dukagjini, ka thënë se nuk do të del në votime dhe se për të kjo është hera e parë që nuk do ta shfrytëzojë votën.
“Është hera e parë që nuk do të dal në votime”, ka thënë Zeqiri.
I pari i Zubin Potokut gjithashtu është shprehur se ai personalisht nuk do të dal nëpër qendrat e votimit për të monitoruar ecurinë e votimit dhe punës, sepse procesi po zhvillohet për shkarkimin e tij, andaj ai ka thënë se një vizitë e tij e mundshme mund të konsiderohet edhe ndikim në proces, duke shtuar se vetëm zyrtarët e tjerë komunal janë në teren për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së procesit.
Ai ka thënë se veprimet e Listës Serbe gjithmonë kanë qenë pengesë.
“Lista Serbe e di se ku është vet në realitet sa i përket votës së qytetarit, por edhe raportin me qytetarin që e ka pasur dhe e ka. Lista Serbe për mua është e dështuar dhe vetë ata votues që ajo thirret se i përfaqëson, e di shumë mire se çfarë raporti ka me qytetarin”, ka thënë tutje kryetari i Zubin Potokut.
“Ajo kurrë realisht nuk është marrë me votën e qytetarëve…Tashmë ajo ka bërë një tërheqje taktike për të zhvilluar propaganda siç ajo di të bëj. Kështu që rezultat nuk do të ketë”, ka shtuar ai.
I pyetur se a beson që do të vazhdojë qeverisjen e tij në këtë komunë, ai u përgjigj duke thënë se është optimist se do të vazhdojë mandarin e tij deri në fund.
Më herët në Komunën e Zubin Potokut nuk ka funksionuar interneti dhe si pasojë nuk kanë funksionuar kamerat.
Lexo më shumë: Në Zubin Potok nuk funksionon interneti, si pasojë nuk punojnë kamerat
Kujtojmë që sot në katër komunat veriore të vendit votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Në listën e qytetarëve me të drejtë vote janë 46 mijë e 556 votues.