Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, tha se ka përsëritur kërkesat e vazhdueshme të Policisë gjatë takimit të sotëm me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.
Kështu është shprehur Zeqiri për emisionin “Five” në Televizionin Dukagjini, teksa shtoi se një nga kërkesat e tyre është ligji për pensionimin e Policisë të jetë 55 vjeç dhe të jetë identik sikurse ai i FSK-së.
“Në këtë takim prapë i kemi diskutuar të gjitha kërkesat e Policisë së Kosovës. Ku si kërkesa kryesore kanë qenë veshmbathjet e punës, mjetet e punës, mjetet logjistike etj, etj”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri tutje është shprehur se “Ministri ka njoftuar se janë bërë disa investime kapitale rreth përmirësimit edhe të Infrastrukturës së objekteve policore, pajisjeve policore dhe logjistike. Me një fjalë, të gjitha pajisjet që iu nevojitet policisë për mbajtjen të rendit dhe qetësisë publike dhe të integritetit të vendit. Kemi diskutuar edhe për kërkesat e tjera, kemi diskutuar edhe për çështjen e sigurimit shëndetësor dhe jetësor. Na u tha se është duke u punuar në atë drejtim që të bëhet ligji për sigurimin shëndetësor dhe jetësor në nivel vendi. Po ashtu kemi diskutuar edhe ligjin për pensionimin e policisë mbi 55 vjeç. Kërkesë e kahershme që të jetë e njëjtë me atë të FSK-së. Edhe për këtë çështje kanë thënë se është duke u punuar në atë drejtim, nga një ministri tjetër, nuk është diskutu për modalitetin, por kërkesë e jona ka qenë të jetë identike si ajo e FSK-së”.
Zeqiri shtoi se sa i përket çështjes së rrezikshmërisë, është diskutuar edhe “çështja e Aktgjykimit të Gjykatës së Kushtetuese”.
“Mendojmë se jemi në realizim të tri pikave: zbritje pagash nuk do të ketë (ashtu siç thotë Ligji dhe Aktgjykimi I Gjykatës Kushtetuese), po ashtu Zbritje e përvojës. Aktgjykimi I Gjykatës Kushtetuese thuhet se “Një e drejtë e fituar nuk duhet anuluar”, dhe na vije si e drejtë që e kemi pasur të fituar tek e shtesa për rrezikshmëri. Si dhe shtesa për punë veçantë te pjesa e stafit civil, ministri veçse është deklaruar se vendimet e Gjykatës do të aprovohen”, shtoi Zeqiri.
Tutje, sa i përket aspekteve logjistike, Zeqiri ka shtuar se “ kemi disa ngecje sa i përket çështjes së prokurorimit, sikurse puna e tenderimit dhe e ankesave në organin shqyrtues të Prokurorimit, dhe si kërkesë e PK-së, për pjesëtarët e Policisë së Kosovës “ të mos jenë aq të stërzgjatura dhe të kryhen në kuadër të Policisë”.
“Puna e prokurorimit po i zhagit disa projekte për t’u realizuar në Policinë e Kosovës”, tha Zeqiri.
Ndërsa, sa i përket kërkesës për ofrimin e transportit të Policisë, Zeqiri shtoi se “ janë në realizimin e tenderit për sigurimin e minibusëve si zgjidhje për udhëtim”.