Kosova është sfida më e madhe për politikën e Serbisë dhe se bisedimet Kosovë-Serbi në vazhdim janë faktori më i rëndësishëm që do të përcaktojë politikën ekonomike dhe politikën serbe në përgjithësi.
Kështu ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Mali, shkruan RTS.
Kjo deklaratë vjen pak ditë pasi presidenti serb, Aleksandër Vuçiq , kishte thënë se në takimin me ndërkombëtarët i është thënë se duhet ta pranojnë propozimin e tyre, sepse në të kundërtën do të ndërpritet procesi i integrimeve evropiane.
Ai kishte theksuar se do të përballen me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, që do të jetë një masë e përgjithshme ekonomike që do të ketë pasoja për Serbinë.
Teksa zëvendëskryeministri Mali pyetet për efektet e tërheqjes së mundshme të investimeve nga vendet e BE-së, ka thënë se ato vende punësojnë mbi 200 mijë njerëz në Serbi.
Sipas tij, tërheqja e investitorëve nga Perëndimi do të ishte një fatkeqësi, sepse, siç thotë Mali, kjo do ta kthente Serbinë 30 vjet prapa.
Ai, po ashtu, ka vlerësuar se tërheqja e ekonomisë së BE-së do të sillte “fshirjen e rezultateve si me gomë”.
“Ajo për të cilën kemi punuar në 10 vitet e fundit do të fshihej si me gomë”, citohet të ketë thënë Mali.
Zëvendëskryeministri serb ka theksuar se “çështja e Kosovës do të përcaktojë fatin e vendit dhe ekonomisë së Serbisë”.
Ai ka njoftuar se në shkurt do të nënshkruhet një marrëveshje me BE-në për fillimin e rindërtimit dhe ndërtimit të një hekurudhe të shpejtë nga Beogradi përmes Nishit deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, për të cilën BE do të japë një grant prej 660 milionë euro.
Po ashtu, ai tha se me nënshkrimin e kontratës për infrastrukturën, praktikisht ka nisur ndërtimi i Stadiumit Kombëtar, i cili do të përfundojë në fillim ose në mes të vitit 2026.