Zgjatet armëpushimi, por luftimet në Sudan vazhdojnë

Forcat Ushtarake dhe të Mbështetjes së Shpejtë bien dakord të zgjasin armëpushimin, por dhuna vazhdon të tronditë kryeqytetin e Sudanit. Të paktën 512 persona janë vrarë në luftime që nisën më 15 prill dhe pothuajse 4 mijë e 200 të tjerë janë plagosur, edhe pse numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë

Një pamje ajrore tregon tymin e zi që ngrihet mbi Aeroportin Ndërkombëtar në Khartoum, Sudan, më 20 prill 2023.

Ushtria dhe një grup paramilitar në Sudan, janë pajtuar që të zgjasin marrëveshjen e armëpushimit, disa orë para se armëpushimi paraprak prej 72-orësh të skadonte.

Zgjatja e armëpushimit – edhe për 72 orë – vjen pas përpjekjeve intensive diplomatike nga shtetet fqinje, por edhe nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara.

Por, pavarësisht armëpushimit, në kryeqytetin sudanez, Khartoum, po vazhdojnë luftimet e ashpra.

Armëpushimi paraprak mundësoi largimin e mijëra personave, teksa disa shtete vazhduan përpjekjet e tyre për evakuimin e qytetarëve të tyre.

Armëpushimi i mëparshëm nuk i ka ndalur luftimet, por ka krijuar një qetësi të mjaftueshme për dhjetëra mijëra sudanezë, për të ikur në zona më të sigurta dhe për vendet e huaja për të evakuuar qindra qytetarë të tyre nga toka dhe deti.

Pothuajse dy javë luftime të ashpra midis ushtrisë dhe një grupi paramilitar, kanë lënë të vdekur qindra persona.

Në Sudan po luftojnë ushtria dhe grupi paramilitar i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.

Sudani Jugor ka ofruar që të ndërmjetësojë bisedimet e paqes, dhe ushtria sudaneze është pajtuar që të dërgojë përfaqësues në këto bisedime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Washingtoni “në mënyrë shumë aktive” ka punuar në zgjatjen e armëpushimit, duke shtuar se pavarësisht se armëpushimi i parë nuk u respektua plotësisht, ai e mundësoi uljen e dhunës.

Por, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, më vonë ka thënë se situata mund të përkeqësohet në çdo moment.

Ndërkaq, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dhe dëshmitarët thanë se ushtria ka sulmuar pozicionet e grupit paramilitar në Kartum.

Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.

Mosmarrëveshjet kryesore në planin për trazicion kanë të bëjnë me përfshirjen e 100 mijë anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re.

Konflikti gjithashtu ka kufizuar shpërndarjen e ushqimit në vend, ku një e treta e 46 milionë qytetarëve të tij tashmë janë të varur nga ndihma humanitare. Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se dhuna mund të zhysë miliona të tjerë në uri.

Sindikata e Mjekëve të Sudanit ka thënë gjithashtu se 60 nga 86 spitalet në zonat e konfliktit, kishin ndaluar së funksionuari, raporton Al Jazeera.

Të paktën 20 mijë njerëz janë arratisur në Çad, 4 mijë në Sudanin e Jugut, 3 mijë e 500 në Etiopi dhe 3 mijë në Republikën e Afrikës Qendrore, sipas OKB-së, e cila ka paralajmëruar se deri në 270 mijë njerëz mund të largohen nëse luftimet vazhdojnë.

Të paktën 512 persona janë vrarë në luftimet që nisën më 15 prill dhe pothuajse 4 mijë e 200 të tjerë janë plagosur, edhe pse numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.

Që nga grushtshteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika