Partisë më të vjetër në Kosovë po i vijnë ditët që të vendosë se kush do të udhëheq me të për katër vitet e ardhshme.
Të dielën e 19 nëntorit, 355 delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të votojnë për kryetarin e kësaj partie.
Pos kandidaturës së kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, kësaj gare i është bashkuar edhe Faton Bislimi.
Ky i fundit thotë se janë të panumërt njerëzit e partisë që ndjehen të papërfaqësuar nga LDK-ja aktuale, që sipas tij, është anatemuar ideologjikisht dhe praktikisht.
E, sipas Bislimit, sa më shumë që ka kandidatë për udhëheqës, aq më shumë i bëhet nder Lidhjes Demokratike.
“Nëse ne shkojmë vetëm me një kandidat ose ne e mbyllim partinë për kandidatë tjerë atëherë cila është esenca e zgjedhjeve, nuk kemi më zgjedhje, kemi emërim e LDK-së nuk i bën nder asnjë emërim i liderit por i bën nder vetëm fitorja e një kandidati, cili do qoftë ai”, ka deklaruar ai.
Lumir Abdixhiku, pozitën e kryetarit e ushtroi për dy vjet, për shkak të dorëheqjes së Isa Mustafës dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Andaj, sipas anëtarit të kryesisë së kësaj partie, Besian Mustafa duhet t’i jepet edhe një mundësi Abdixhikut.
“Mendoj që zoti Abdixhiku do të duhej të vazhdonte edhe për një mandat të plotë katër vjeçar, duke i shtuar këtij gjysmë mandati një total prej gjatë viteve. Mendoj që është hapsitë e mjaftueshme kohore që të shpalosë vizionin e tij të plotë”, ka deklaruar Mustafa.
Pos votimit për kryetar të LDK-së, të dielën do të zgjedhet edhe kryesia e partisë dhe do të shpaloset programi 4-vjeçar “Rruga e re”.