Thirrjet e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, njohësit e çështjeve politike po i vlerësojnë si thirrje për rritjen e elektoratit të tyre. Sipas tyre, opozita e di mirë që nuk mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje pasi nuk kanë vota të mjaftueshme.
Ata kanë thënë që vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse Qeveria me vetëdëshirë jep dorëheqje, po që sipas tyre, për këtë gjasat janë shumë të vogla që të ndodhin.
Analisti politik, Shemsi Jashari, ka thënë se kërkesat e opozitës për zgjedhje janë normale, sipas tij, sa më shumë që zgjat Qeveria e tanishme aq më lehtë do të jetë për opozitën, sepse do të ketë argument më shumë për t’i bindur qytetarët kundër.
“Kërkesa nga opozita për të shkuar në zgjedhje – për shkarkim të qeverisë në demokraci janë minimale. Secila opozitë normalisht do të duhej të kërkonte shkarkimin e një qeverie që është në pozitë për të organizuar zgjedhje me shpresën që ata do të fitojnë dhe të vijnë në qeverisje. Sa më shumë që të zgjatë kjo qeveri, aq më lehtë do të jetë për opozitën, sepse do të ketë argument më shumë për t’i bindur qytetarin se kjo qeverisje nuk është e mirë”, ka thënë Jashari për EO.
“Skandalet e njëpasnjëshme që është duke i prodhuar ka bërë që opozitës t’i japë kurojo që të dalë nga ai pozicion inferior që ka ekzistuar. Tek opozita komplet në dy vitet e para qeverisje dhe tash sikur duket që kanë marrë më shumë guxim për të kërkuar zgjedhje, për të insistuar. Qasja me faktorin ndërkombëtar, raportet me aleatët tanë të përhershëm dhe sidomos skandalet e tjera që kanë të bëjnë më këtë qeverisje, me korrupsion, nepotizëm dhe gjitha ato që po jemi dëshmitarë të kohës dhe po i shohim vazhdimisht”, ka thënë tutje ai.
Ai ka shtuar se Qeveria mund të rrëzohet vetëm nëse vetëdorëhiqet, pasi opozita nuk i ka numrat për të rrezuar ekzekutivin.
“Në këtë kohë që po flasim mendoj që opozita e di që nëse kjo qeverisje nuk ka vullnet për dorëheqje ose vetëshkarkim, opozita nuk ka numrat për ta rrëzuar. Prandaj edhe zërat e tyre janë bukur insistues për të shkuar në zgjedhje që lënë të kuptohet që këta duan ta tregojnë se nuk kanë frikë të shkojnë në zgjedhje, duke ditur në anën tjetër që nuk i kanë numrat për ta rrezuar këtë qeveri. Veprimet e PDK-së që me insistim kërkon të shkojë në zgjedhje flet me elektoratin e vet, duke dashur që të thotë që në jemi të gatshëm për më marrë përgjegjësi. Mandej, LDK-ja me organizmin e takimeve, me lansimin e një programi, një “Rruge të re” siç e quajnë, do të thotë se ne duhet të rikthehemi dhe kemi një vizion të qartë se si do të rikthehemi. Po ashtu, edhe AAK-ja ka kohë që ka marrë një nismë për t’i mbledhur nënshkrimet për të kërkuar mocion mosbesimi, duke e ditur që nuk kemi një koordinim mes opozitës, qeveria mund të rrijë e qetë në kuptim që opozita mund ta rrëzojë”, ka shtuar tutje ai.
“Përveç që vetë pozita, e kemi një sinjal nga kuvendari Konjufca që tërthorazi e thotë që ndoshta është mirë që të shkohet ne zgjedhje duke ironizuar me opozitën. Në fakt nëse pozita vlerëson që në këtë ritëm, në këtë rend se si është duke shkuar puna në qeverisje do të mund të humbte elektorat nëse vonohet për të shkuar në zgjedhje, atëherë nuk është e habitshme nëse në pranverën e vitit 2024, edhe të kemi zgjedhje të parakohshme në Kosovë”.
Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka thënë se duke u bazuar në numrat që ka partia në pushtet gjasat për të shkuar në zgjedhje janë shumë të vogla.
Sipas tij, thirrjet e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje janë duke u bërë për arsye që ato në zgjedhjet e ardhshme të dalin të dytat dhe të bashkëqeverisin me VV-në.
“Bazuar në numrin në parlament që ka LVV-ja të deputetëve, gjasat për të rënë kjo qeveri shumë shpejt janë jashtëzakonisht të vogla. Natyrisht që opozita nuk ka tjetër punë përveç që ta dërgojnë vendin në zgjedhje në çdo kohë dhe në çdo moment pasi presin një momentum më të mirë. Ndoshta jo që praktikisht të dalin të parat, por si të dyta apo të tretat parti të kenë një rezultat më të favorshëm në zgjedhjet e ardhshme me një VV, e cila mund t’i ketë nën 40 për qind të elektoratit të Kosovës dhe nuk do të mund ta krijojë qeverinë e re pa ndonjërën parti opozitare”, ka thënë Sadiku për EO.
“Është tendenca e tyre për të ardhur ndonjëra prej tyre në pushtet në të ardhmen me VV-në. E dyta është që kemi pasur një ngecje të realizmit të marrëveshjeve ndërkombëtare të votimit të tyre në Kuvend që varen direkt nga opozita dhe moszbatimi i tyre sigurisht e qetë pozitën në pozitë të palakmueshme dhe ia bën njëfarëlloj detyrimi moral që ajo të shkojë në zgjedhje”, ka thënë ai.