Komisioni Qendror Zgjedhjeve ( KQZ), këtë të martë do të shpallë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave: Zveçan dhe Leposaviq.
Nëpërmjet një komunikate për media, nga KQZ kanë thënë se të martën nga ora 13:15 mbahet mbledhja e radhës.
Në zgjedhjet e 23 prillit, pjesëmarrja e qytetarëve ishte shumë e ulët. Nga 45 mijë qytetarë më të drejtë vote vetëm 1 mijë e 557 prej tyre e shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar ditën e diel në komunat veriore.
Këto zgjedhje u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe dhe dalja në to, sipas KQZ-së, ishte vetëm 3.47 për qind.
Për bojkotimin që iu bë zgjedhjeve të organizuara nga institucionet kosovare, liderët kosovarë fajësuan Serbinë, duke thënë se presioni dhe kërcënimet nga Beogradi po vazhdojnë ndaj qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
Reagime ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian, të cilët konsideruan që zgjedhjet në veri “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike” për këto komuna të banuara me shumicë serbe.
“Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione, dhe që Kosova të mundësojë kthimin e tyre. Puna në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Ndërkaq, liderët e Serbisë kanë paralajmëruar “një krizë të thellë” në atë zonë.
Sipas rezultateve preliminare, garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq e fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq në Zveçan dhe Zubin Potok fituan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.
Më parë këto komuna janë udhëhequr nga anëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila kësaj here i bojkotoi zgjedhjet.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.