Ka filluar takimi në mes të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në këtë takim nuk po merr pjesë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe.
Takimi është duke u mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa pas takimit presidentja Osmani do të mbajë një deklaratë për media.
Nga radhët e LDK-së i pranishëm është Imri Ahmeti, nga radhët e PDK-së, Betim Gjoshi, ndërsa nga radhët e VV-së, Glauk Konjufca.
Po ashtu nga Lista Guxo i pranishëm është Faton Peci.
I pranishëm është edhe kryetari i Partisë së serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ftuar në takim përfaqësuesit e subjekteve politike, me të cilët do të konsultohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Një ftesë e tillë për caktimin e datës së zgjedhjeve ka ardhur pasi kryetarët e katër komunave të lartcekura më 7 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Vlen të theksohet, se Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur se pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë bërë të ditur se nuk do të shkojnë në takimin me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Ndryshe më 5 nëntor, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Të hënën, Osmani pret në takim partitë politike për konsultime për datën e zgjedhjeve në veri