Zgjedhjet parlamentare – PDK, LDK e AAK propozuan të njëjtën datë

Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i filloi të mërkurën konsultimet me partitë politike në vend për të arritur një marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Në këtë takim ku mungoi një përfaqësues i VV-së, Osmani tha se me krerët partiakë janë pajtuar që të bëhet analizimi i të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve.

Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca… Disa parti preferuan 26 janarin, tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe, kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani dje në një konferencë për media.

Partitë opozitare kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se partia e tij është gati për zgjedhje në çfarëdo date.

“Sot, në takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme”.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shpreson që presidentja Osmani do ta shpallë 26 janarin datë të zgjedhjeve të reja.

“Shpresoj që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 janar”.

E kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë një deklaratë pas takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.

Ai ka thënë se ka propozuar që zgjedhjet nacionale të mbahen më 26 janar të vitit 2025.

Abdixhiku ka thënë vendit i duhet sa më parë një qeveri që e parandalon zhbërjen e shtetit.

“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin properëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje, përmes shpërndarjes së Kuvendit, Osmani tha se kjo mundësi “ligjërisht ende ekziston”.

“Megjithatë, shpërndarja e Kuvendit kërkon dy të tretat e votave e më shumë dhe se a kanë gatishmëri partitë politike në Kuvend ta bëjnë një shumicë të tillë, është çështje e tyre. Sot nuk u duk një gatishmëri e tillë”, tha ajo.

Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt.

Shija e redaktorit

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

“Debat Plus” prinë bindshëm, pakontestueshëm emisioni më i shikuar politik...

Mbi 15 mijë respodent i janë përgjigjur Exit Poll të realizuar nga UBO Consulting e të porositur nga Televizioni Dukagjini. Saktësia e këtij “Exit...

Të fundit nga rubrika