Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmetin, të hënën e 18 marsit.
Në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se gjatë takimit diskutuan për zhvillimin ekonomik, bujqësinë, fuqizimin e të rinjve e grave.
“Filluam takimet tona në komunën e Lipjanit me kryetarin Imri Ahmeti. Diskutime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, bujqësinë, fuqizimin e të rinjve, grave dhe iniciativa të tjera që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo.
Osmani ka kërkuar trajtim të barabartë të palëve në dialog, duke theksuar se Serbia vazhdimisht ka shkelur nenet e Marrëveshjes së Ohrit – e dakorduar një vit më parë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Këto deklarime, Osmani i ka bërë nga një konferencë të përbashkët me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti.
“Është e qartë se cila është pala që i shkel marrëveshjet”, ka theksuar Osmani.
“Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje që qartë i kërkon të mos shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njohë subjektivitetin ndërkombëtar, të mos votojë kundër Kosovës për anëtarësi në organizata ndërkombëtare, të mos përdorë dhunë në relacionet shtetërore e shumë e shumë të tjera”, ka thënë Osmani.