Arbër Kryeziu, bashkëthemelues i Makerspace ICP, ka folur mbi eventin “Ups and downs”, i cili do të organizohet për herë të dytë në qytetin e Prizrenit.
Në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, Kryeziu ka thënë se ky event është një aktivitet për të rinjtë, të cilët mund të mësojnë për të bërit biznes.
“Është hera e dytë që po e bëjmë në Prizren, të parën e kemi bërë para dy muajve. Është një aktivitet ku të rinjtë e të rejat mund të mësojnë prej përvojave të individëve që e kanë bërë biznes, dështimet që i kanë pasur dhe qysh e kanë zhvilluar ata biznesin e tyre, në mënyrë që ata t’i marrin këto mësime, m’i shkëmby me njëri-tjetrin. Ne i përkrahim të rinjtë dhe të rejat t’i zhvillojnë bizneset e tyre, ata vijnë me një ide fillestare dhe bashkë me ne e zhvillojmë atë brumë në një biznes. Është projekt shumë i madh, inovativ”, u shpreh ai.
Sipas tij, inkubatori i ndihmon ata që t’i zhvillojnë idetë e tyre.
“Kemi raste kur kemi biznese sa janë formuar, thjesht iu duhet një formësim më të mirë, të strukturohet biznesi i tyre. Prej tyre i kemi disa storie të suksesit që operojnë në Prizren, por jo vetëm. Fokusi jonë deri tash ka qenë në Prizren. Shumica e neve e njohim Prizrenin si vend të qebapëve, por ne e kemi marrë një mision që të mos njihet Prizreni vetëm për qebapëve, DokuFest, por të njihet edhe si një vend me zhvillim teknologjik”, shtoi më tej ai.