Një zjarr i madh ka shpërthyer këtë të shtunë në një depo karburanti në Sevastopol, porti kryesor në Gadishullin e Krimesë në Ukrainë, i aneksuar nga Rusia.
Autoritetet kanë thënë se shpërthimi ishte rezultat i një sulmi me dron.
Sevastopol është shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi dhe është goditur nga një seri sulmesh me dronë, qëkur ofensiva e Rusisë në Ukrainë filloi vitin e kaluar, derisa zyrtarët rusë kanë fajësuar për sulmet Ukrainën.
Ndërsa, një zëdhënës i forcave të armatosura të Ukrainës tha se nuk kishte asnjë informacion që të sugjeronte se Ukraina ishte përgjegjëse për zjarrin
“Një depo karburanti është në zjarr në rrethin e Gjirit Kazakia” të qytetit port të Krimesë, Sevastopol, tha në Telegram, guvernatori i gadishullit i vendosur nga Rusia, Mikhail Razvozhajev.
Ai tha se gjerësia e zonës së kapluar nga zjarri ishte “rreth një mijë metra katrorë” dhe publikoi imazhe të reve të mëdha tymi që ngriheshin në ajër.
Razvozhajev u bëri thirrje banorëve të Krimesë të “qëndrojnë të qetë” dhe në një postim të mëvonshëm tha se “askush nuk u lëndua”. Ai tha se autoritetet e kanë “situatën nën kontroll” dhe tha se nuk kishte asnjë kërcënim për infrastrukturën civile.
Në fillim të kësaj jave, Rusia tha se kishte “zmbrapsur” një sulm me dron në port. /REL