Policia e Kosovës ka njoftuar se zjarri ka shpërthyer në fshatin Vershevc dhe Terbovc të Lipjanit.
Në Vershevc, zjarri ka djegur një pjesë të pyllit, ndërsa në Terbovc, ka djegur disa pjesë të fushave.
“Është raportuar se nga zjarri është përfshirë –djegur një pjesë e pyllit. Njësit relevante dhe ekipi i zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Vlera e dëmit nuk dihet, nuk ka të dyshuar, rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë për rastin në Vershevc.
Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur të lokalizojnë zjarrin, megjithatë, në disa vende ka qenë e pamundur ndërhyrja.
“Është raportuar se nga zjarri është përfshirë –djegur një pjesë e fushave. Njësit relevante dhe ekipi i zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin përveç në disa vende ku është e pamundur intervenimi, është njoftuar prokurori, rasti nën hetime”, ka njoftuar Policia.
Po ashtu, një zjarr është raportuar edhe në Shtërpcë, në zonën e quajtur Taraija, ku janë djegur barishte të thata dhe një pemishte.
Zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin dhe nuk ka pasur ankesa nga qytetarët, pasi prona ishte private.
“Më datën dhe kohën e lartcekur është raportuar se në Shtërpcë në vendin e quajtur Taraija është një zjarr. Dëmet nga zjarri janë shkaktuar në barishte të thata si dhe një pemishte. Në vendin e ngjarjes njësia e zjarrfikësve e ka lokalizuar zjarrin, ndërsa deri me tani nuk kemi ndonjë ankues pasi që prona e përfshirë në zjarr është pronë private”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Një tjetër rast ka ndodhur në Sopijë të Suharekës, ku zjarri ka përfshirë një stallë bagëtish.
Zjarrin dyshohet se e ka shkaktuar djegia e mbeturinave, dhe erë e fortë e ka shpërndarë zjarrin në stallë. Ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë dhe e kanë shuar zjarrin.