Pezullimi i pagave nga Ministria e Financave, përveç grevistët, siç janë, punëtorët e arsimit dhe administratës, i ka prekur edhe kategoritë e tjera të sektorit publik të cilët janë duke e zhvilluar punën e tyre normalisht.
Këto kategori janë zjarrfikësit dhe punëtorët shëndetësorë, të cilëve nuk iu është procesuar paga që dy ditë.
Mal Gashi, shef i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, për Portalin Dukagjini, ka bërë të ditur se zjarrfikësit nuk i kanë marrë pagat, të cilat është paraparë të procesohen më 31 gusht.
Gashi ka theksuar se vonesa e pagës po shkakton probleme, sidomos tek ata punëtorë që kanë detyrime ndaj bankave.
“Deri tani kur po flasim, nuk kemi informacion se na kanë dalë pagat, informacione nuk kemi nga asnjë koleg. Sigurisht që pengon, pavarësisht sa janë pagat, dhe në bazë të saj i përmbyllin shpenzimet e muajit, një fakt tjetër që një numër i madh i zjarrfikësve janë me kredi, ka kaluar data dhe po fillon banka t’i thërrasë e t’i shqetësojë për kreditë për t’i bërë pagesat”, ka deklaruar ai.
Gashi është shprehur i indinjuar me mosprocesimin e pagave, sepse sipas tij, ekipi i zjarrfikësve për asnjë moment nuk e ka ndalur punën.
Sipas tij, për shkak të punës së madhe gjatë sezonit të verës, zjarrfikësit nuk e kanë marrë as pushimin vjetor i cili u takon me ligj.
Ai ka thënë se nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e grevës, edhe pse kushtet e punës nuk i kanë të mira.
“Vonesa është e pakuptimtë për ne, ne as pushimet për shkak të numrit të vogël të punëtorëve nuk mundemi t’i shfrytëzojmë, ka zjarrfikës që nuk ka mundur të shkojë në pushime me familje për shkak të volumit të intervenimeve që i kemi në këtë sezon. As që e kemi pasur parasysh që nuk do të na dalin pagat”, është shprehur ai.
Pagat nuk janë procesuar as për punëtorët shëndetësorë. Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së, Enlirat Duraku.
Duraku ka potencuar se infermierët dhe mjekët nuk janë pjesë e grevës, dhe ekzekutimi i pagave sipas tij duhet të bëhet menjëherë.
“Infermierët dhe mjekët e kujdesit parësor nuk ishin dhe nuk janë pjesë e grevës, andaj edhe ekzekutimi i pagave të tyre do të duhej të bëhej në datën dhe ditën kur edhe kujdesit sekondar dhe terciar u janë ekzekutuar pagat. Se a është bërë kjo për shkaqe subjektive apo nga inkompetenca nuk ka rëndësi përderisa ato paga të ekzekutohen sot urgjentisht”, ka thënë ai.
Duraku ka theksuar se nëse pagat nuk procesohen më së largu të premten, do të ndërmarrin veprime sindikale.
“Thënë këtë, e mbështes plotësisht reagimin e FSSHK-së dhe kryetares, znj. Imeri lidhur me këtë padrejtësi, ndërsa të njëjtën inkurajoj që në rast të mungesës së reflektimit, sot urgjentisht në konsultim me kryesinë dhe përfaqësuesit sindikalë të QKMF-ve të parapërgatitë përgjigje qoftë edhe me veprime sindikale, me ç’rast nuk do t’i mungojë edhe mbështetja jonë e pakontestueshme sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë ajo.
Mosekzekutimin e pagave për punonjësit të cilët janë duke e ushtruar profesionin e tyre si zakonisht, e ka konfirmuar edhe drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini se ka shërbyes civilë në komuna të cilët janë duke punuar dhe përsëri nuk iu është ekzekutuar paga me kohë.
Ai ka përmendur edhe zjarrfikësit, punëtorët shëndetësorë dhe punëtorët teknikë, të cilët sipas tij ende nuk kanë marrë paga.
“Dje, në takimin e këshillit të kryetarëve ishim prezentë 22 përfaqësues të komunave, e diskutuam që Ministria e Financave në mënyrë parciale e ka bërë ekzekutimin e pagës për muajin gusht. Kryetarët e komunave kërkojnë që të gjithë zyrtarët në nivel lokal, edhe shërbyesit civilë të paguhen, sepse kemi raste kur punonjësit në komuna i kanë kryer shërbimet esenciale, por gjithashtu janë zjarrfikësit, janë punëtorët shëndetësorë, janë punëtorët teknikë dhe kërkojnë që ekzekutimi i pagave të bëhet për të gjitha kategoritë”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi ka theksuar se nëse nuk dalin pagat deri më datën pesë shtator, atëherë komunat do të shikojnë se çfarë masa do të marrin.
“Deri me pesë shtator sipas kontratave që punonjësit i kanë me institucionet përgjegjëse duhet të dalin pagat. Deri më pesë kryetarët e komunave do t’i shohin veprimet e nivelit qendror dhe pastaj do të shikojmë se çfarë do të veprojmë”, ka thënë ai.
“Lufta” Sindikatë-Qeveri
Më 25 gusht, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë, për t’ua ndërprerë pagën, duke u bazuar në nenin 18 të Ligjit për Greva. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se “përderisa e drejta e grevës dhe grumbullimit është e garantuar me ligj, po ashtu praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin që të paguajë punëtorin sa është në grevë”.
Ndërkaq, të mërkurën e 31 gushtit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ekzekutimi i pagave për këtë muaj është bërë vetëm i pjesshëm, për arsye se sipas tij, organizatat buxhetore nuk i kanë dërguar listat e atyre që kanë dalë në punë me kohë.
Si reagim ndaj këtyre vendimeve të ministrit Murati, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se më 1 shtator, kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Nga Ministria e Financave ende nuk është dhënë ndonjë datë se kur pritet të procesohen pagat për punëtorët e sektorit publik.
Ndërkaq, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk ka ndonjë shenjë se do ta ndalin grevën. Që nga 25 gushti, pjesë e grevës janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesë kryesore e sindikatave është të ndahen nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik derisa të miratohet Projektligji i ri për paga.
Ky Projektligj, i cili është duke u përgatitur nga Qeveria e Kosovës, së pari do të jetë i hapur për konsultime publike dhe pastaj parashihet të shkojë në Kuvendin e Kosovës dhe të miratohet, pastaj nëse miratohet, pritet të hyjë në fuqi pas tetë muajsh.