Lidhur me zjarrin, që kishte përfshirë disa banesa në Prishtinë, në lagjen “Bregu i Diellit”, mësohet se shkaktar i situatës së krijuar ishte energjia elektrike.
Këtë informacion, për Portalin Dukagjini, e ka dhënë Mal Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë.
Në një përgjigje, Gashi ka thënë se në orën 12:05 kanë pranuar informatën për këtë ngjarje, që kishte ndodhur saktësisht në rrugën “Xheladin Hana” në lagjen “Bregu i Diellit” te kompleksi “Famis”, blloku B1 në hyrjen e parë.
Flaka mësohet se ka përfshirë katin e pestë, të gjashtë dhe të shtatë.
“Pasi kemi mbërri aty kemi parë se zjarri ishte në hyrje pikërisht te njësorët e rrymës, të cilat ishin në flakë dhe tym, ku edhe kishte shkaktuar panik tek qytetarët, të cilët kishin provuar edhe me anë të çarçafëve të zbritnin poshtë nga kati parë dhe i dytë”, ka thënë Gashi.
Ai ka bërë të ditur se kanë intervenuar menjëherë me fikjen e zjarrit, ventilimin e hapësirës dhe zbritjen e temperaturës për mundësinë e evakuimit të qytetarëve, të cilët ishin ende në gjendje paniku, si ata lart në banesa, po ashtu, edhe në katet poshtë”, ka thënë tutje Gashi.
Gashi ka bërë të ditur se kanë evakuuar me dhjetëra qytetarë të moshuar, fëmijë, dhe persona që kanë kërkuar trajtim me oksigjen.
“Si dhe kemi nxjerrë një person nga ashensori, i cili kishte mbetur i bllokuar në hyrje tjetër, për shkak të ndërprerjes së rrymës qe kemi kërkuar ne. Sipas informatës që kemi marrë nga ndihma e parë, një grua ka pësuar lëndime në krahë të thyer, pesë të tjerë kanë marrë ndihmën e parë si pasojë e tymit dhe gazrave që ishte shkaktuar nga zjarri i shumë kabllove elektrike”, ka shtuar Mal Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë.
Portali Dukagjini ka raportuar edhe më herët lidhur me këtë situatë.