Ndonëse dy zyra të rëndësishme të Institutit të Mjekësisë Ligjore para tri ditësh u dogjën nga zjarri, ky institucion po kryen punët bazike që është i thirrur t’i kryej.
Të premten, IML-ja kreu obduksionin e një personi që është gjetur pa shenja jete në Pejë.
Këtë e konfirmoi edhe Prokuroria Themelore në Pejë. E, pos obduksioneve, në IML po kryhen edhe shërbime të tjera.
“Të gjitha shërbimet mjeko-ligjore janë duke funksionuar pa problem, duke përfshirë autopsitë dhe ekzaminimet klinike”, ka thënë Ditor Haliti – U.D i drejtorit të IML-së.
Ndërsa ish-këshilltari në Ministrinë e Drejtësisë, Naim Ramizi beson se dëmtimi i një pjesë të Institutit nuk do sjellë probleme në funksionimin e tij.
“Instituti merret me shkakun që e ka sjellë dëmin. Pra mendoj që vetëm nëse ka ndonjë urgjencë, atëherë mundet me qenë dëm, mirëpo krejt punët që mund të grumbullohen qetash munden me u kry edhe më vonë besoj”, ka deklaruar Naim Ramizi, ish-këshilltar në MD.
Të martën ishte hera e dytë brenda këtij viti që objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore u kaplua nga zjarri. Në asnjërën nga rastet, institucionet përkatëse nuk e kanë treguar shkaqet e zjarreve.