162 mijë euro është kostoja e qirasë vjetore që e paguan Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Kësisoj, për t’i ikur qirasë, Ministria e Punëve të Brendshme ka propozuar që ky institucion të zhvendoset në ish-objektin e RTV 21.
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se janë në pritje që ky objekt të funksionalizohet. Sipas saj, për shkak të punimeve, ZKA-ja do të qëndrojë edhe për një vit e gjysmë në objektin aktual.
“Po në fakt çështja e qirasë ka mbetur ende prezente. Ne ende jemi në objektin në të cilin e paguajmë një qira vjetore prej 162 mijë euro, dhe kjo normal se neve na e pengon që atë buxhet ta shfrytëzojmë për zhvillimin e institucionit”, ka thënë Spanca për EO.
“Në këtë drejtim është një hap pozitiv, ne e kemi marrë një propozim nga Ministria e Punëve të Brendshme që të zhvendosemi në ish-objektin ku ka qenë RTV 21, mirëpo ai objekt nuk pritet që së shpejti të funksionalizohet, për shkak se objekti duhet të përshtatet. Ne kemi pranuar atë propozim, meqenëse nuk kemi propozime të tjera dhe do të vazhdojmë në këtë objekt ku jemi ndoshta edhe për një vit e gjysmë”, ka thënë tutje Spanca.
Spanca ka folur edhe për mungesë të stafit dhe me punë të mbingarkuara. Thotë se vështirësi po u jep Ligji aktual, i cili kërkon që auditimi vjetor të kryhet para datës 30 qershor.
“Me ligjin e buxhetit për vitin 2022-23 ka 180 punonjës, por që jo të gjitha vendet janë të plotësuara. Momentalisht janë 171 punëtorë, pasi në vazhdimësi ka lëvizje, prej tyre 140 auditues, pjesa tjetër është staf mbështetës”, ka shtuar ajo.
“Numri si numër është i mjaftueshëm, mirëpo Ligji për Auditorin e Përgjithshëm ka dhënë obligime ligjore që t’i përmbushë 90 auditime në baza vjetore dhe ato t’i publikojë deri më datën 30 qershor dhe kjo e ngarkon Zyrën tej mase, për shkak se nuk i jep mundësi ZKA-së që të zhvillohet në auditime të tjera si performancë apo ta zgjerojë gamën te ndërmarrjet publike, për shkak se duhet t’i kryejmë fillimisht obligimet ligjore që i kemi”, ka theksuar auditorja e përgjithshme, teksa thotë se janë duke u përballur edhe me largim të stafit.
Krahas kësaj dukurie, Spanca thotë se punëtorë të tjerë kanë dalë në pension, e disa të tjerë në pushim të lehonisë.
“Tash duke marrë për bazë trendin, kemi edhe lëvizje të stafit. Katër punëtorë e lëshojnë institucionin në baza vjetore, shtoja kësaj pushimet tjera të lehonisë apo pa pagesë, pensionimi. Tash rishtazi i kemi pasur tre punëtorë që kanë dalë në pension, dhe kjo është shumë e vështirë për neve që ta zbatojmë plotësisht planin auditues”, ka potencuar Spanca.