Pas arritjes së tij në Ohër të Maqedonisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Chollet.
Përmes një njoftimi, Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se dyshja biseduan për rëndësinë e takimit të Ohrit të shtunën, takim në të cilin Kurti do të takohet me presidentin serb, Vuçiq në kuadër të fazës tjetër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Pas arritjes në Ohër, para takimit të nesërm të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fasilituar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. U bisedua për rëndësinë që kjo fundjavë ka për Kosovën, rajonin, integrimet Euro-Atlantike dhe sigurinë. Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar që dita e nesërme të jetë e suksesshme”, thuhet në njoftim.
Krahas kësaj, bëhet e ditur se Kurti falënderoi Chollet për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi i shumëpërfolur i nivelit të lartë në mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të zhvillohet sot, e shtunë, në Ohër të Maqedonisë.
Që të dy protagonistët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Pjesë e takimit do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit.