Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka deklaruar se Kullat e Jasharëve pritet të rinovohen në fillim të muajit mars, të vitit 2023.
“Detyra Projektuese është e pranuar në parim, ne jemi pajtuar me projektin e tyre nga komisioni i ekspertëve, i cili na premtoj që deri në fillim të marsit, të vitit 2023, do të fillojnë të gjitha procedurat, për rinovimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz”, ka deklaruar Zogaj për Portalin Dukagjini.
Po ashtu, ai ka thënë se komisioni i ekspertëve ua ka kërkuar që të mendojnë për ndonjë sugjerim shtesë ndaj këtij plani, dhe pastaj pas dy javëve të organizojnë sërish një mbledhje tjetër, që të shfaqin mendimet e tyre si plotësim ndaj i Detyrës Projektuese.
“Ata kërkuan edhe ndonjë propozim apo sugjerim plotësues, dhe jemi dakorduar që pas dy javëve të ua dërgojmë komentet tona, dhe pas dy javëve të organizojmë një mbledhje tjetër me Komitetin Ndër-ministror”, ka deklaruar Zogaj.
Pastaj nga ky takim ata do të aprovojnë, Detyrën Projektuese, por që sipas tij ky projekt do të ketë edhe disa afate të tjera, pasi është një projekt i mjaftë i madh.
“Që të aprovojmë këtë detyrë projektuese, pasi kjo do të ketë disa afate të tjera, ky është një projekt i madh dhe do të shkojë me faza”, është shprehur Zogaj, për Portalin Dukagjini.
Ndërsa, në bazë të projekteve të propozuara nga mbledhja, ai ka thënë se do të përfshihen tri zona.
“Dhe në bazë të këtyre projekteve qysh e kanë ilustruar ata, do të jetë në tri zona, zona e parë Kompleksi apo Kullat e Jasharëve, Varrezat pastaj edhe pjesa e Fabrika e Municionit në Skenderaj”, ka deklaruar Zogaj.
Sipas tij, komisioni i ekspertëve me anëtarët e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ka zhvilluar punët në terren ku është furnizuar me të gjitha materialet që kanë ekzistuar deri tash, si dhe me ato nga Agjencia e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”.
“Grupi i ekspertëve pas një pune rreth gjashtë mujore, kanë ardhur në përfundim dhe kanë paraparë se çka do të bëhet në gjithë atë pjesën e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, ka deklaruar Zogaj.
Po ashtu, Zogaj ka thënë se për rinovimin e Kullave të Jsharëve, parashihet të jenë diku rreth 450 hektarë tokë.
“Parashihet të jenë diku rreth 450 hektarë, dhe që domethënë në bazë të ligjit, që e parasheh përveç konservimit të shtëpive që do të ketë edhe një muze”, ak thënë Zogaj.
Ndërsa, Bekim Jashari, i biri i heroit kombëtar Hamëz Jashari, është shprehur pesimist për këtë proces, ku ka thënë se ka gjasa që të mos fillojë as në vitin 2023.
Sipas Bekim Jasharit, hera e fundit kur është intervenuar në Kompleksin e Jasharëve, nuk kishte qenë nga institucionet e Kosovës, por këtë e kishte bërë një donator nga Turqia, i cili në mënyrë vullnetare kishte investuar për ta rregulluar kompleksin e familjes Jashari.
”Mos të merri me fjalë, por me vepra, sepse ky proces është duke mospërfunduar. Ky proces po rikthehet në piken zero nga ndërrimi i qeverive”, ka thënë Bekim Jashari për Portalin Dukagjini.
Nën kryesimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të shtunën u mbajt mbledhja e pestë e Komitetit Ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në këtë mbledhje është njoftuar se nga hulumtimet e bëra janë drejt hapit të parë të fazës së ardhshme, e që është shpallja e konkursit për hartimin e Master Planit për këtë Kompleks.
Qeveria pritet të shpallë konkurs për Master Planin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
As këtë vit e as më 2023 nuk ka shpresë për renovimin e Kullave të Jasharëve