Zogaj: Procesi i vetingut vlerësoj se do të jetë i pamundshëm e edhe i panevojshëm

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë ka qenë i pamundur dhe ai vlerëson se ky proces do të jetë i pamundur edhe në të ardhmen

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë ka qenë i pamundur dhe ai vlerëson se ky proces do të jetë i pamundur edhe në të ardhmen. 

Zogaj në një intervistë për “KosovaPress”, ka thënë se ky proces do të jetë i panevojshëm nëse miratohet pako e reformave që kanë paraparë. 

“Në situatën aktuale pothuajse ka qenë proces i pamundshëm, por vlerësoj që do të jetë i pamundshëm edhe në të ardhmen dhe në fakt do të jetë edhe i panevojshëm, ndoshta më shumë se i pamundshëm, për shkak se ne veç e kemi një pako të reformës, dhe nëse kjo pako e reformës miratohet, unë besoj që ne do të sigurojmë një qëndrueshmëri afatgjate të institucioneve të drejtësisë, duke adresuar vlerësimet për shumë vite që kanë ndodhur në sektorin e drejtësisë, shumë prej komponentëve të strategjisë së sundimit të ligji, shumë prej rekomandimeve të raporteve ndërkombëtare, ato që janë kredibile. E njëkohësisht do ta rrisin në masë të konsiderueshme llogaridhënien brenda sistemit të drejtësisë duke siguruar filtra të mjaftueshëm edhe për kontrollin e integritetit”, thotë Zogaj.

Qeveria e ka pasur synim  vetingun në sistemin e drejtësisë, por që gjatë këtij mandati qeverisës ky proces ka mbetur pa u jetësuar. 

Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës thotë se deklarata e përbashkët e zotimit për reformën ligjore në sistemin e drejtësisë aktualisht ndodhet në Komisionin e Venecias.

“Deklarata e dytë për reformën në fakt ka pas shumë debate, ka pasur shumë ngecje e pikëpamje të ndryshme, megjithatë është arritur të kemi një pako të dakorduar në mes të institucioneve dhe e cila këto ditë ndodhet në Komisionin e Venecias për shkak se po ashtu ka pasur dakordim të institucioneve për dërgimin e pakos në Komisionin e Venecias”, theksoi ai.

Zogaj ka folur edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë në veri. Ai ka thënë se asnjë nga 24 gjyqtarët serbë që dhanë dorëheqje në nëntor 2022 nuk kanë kërkuar rikthim në vendet e punës. Ndërsa procesi për këta gjyqtarë vazhdon të jetë pezull, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës thotë se kjo çështje do të trajtohet vetëm në kuadër të KGJK-së.

Ai tha se përkundër përgjysmimit të stafit, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka rritur efikasitetin e saj.
Zogaj potencon se si KGJK në vazhdimësi kanë hapur konkurse për plotësim të pozitave vakante në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, por synimi asnjëherë nuk ka qenë të zëvendësohen 24 pozitat e gjyqtarëve serbë të dorëhequr.

“Nuk ka pas kërkesa (për rikthim), procesi është ende pezull. Në momentin që do të ketë kërkesa ne do t’i trajtojmë”, tha Zogaj. 

Në nëntor të vitit 2022, Lista Serbe vendosi të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës, si dhe komunat në veri. Dorëheqje dhanë pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, të gjyqësorit dhe prokurorisë në këto komuna.

Sa i përket insistimit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për auditim në gjykata themelore për efikasitetin në trajtimin e lëndëve civile, Zogaj thotë se ky auditim nuk do të ndodhë pasi përbën ndërhyrje flagrante në punën e gjyqësorit.

“Në fakt nga gjyqësori është vlerësuar që është ndërhyrje direkte në punën e gjyqësorit… Detyra jonë e vetme dhe fillestare është me u kujdes për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe në asnjë rast nuk mundet një mekanizëm i jashtëm të përfshihet në auditime të performancës së gjyqtarëve për shkak se do të ishte shembulli më i keq edhe për Kosovën, edhe do të ishte një prej ndërhyrje flagrante në sistem gjyqësor. Pavarësisht komunikimeve që kemi pasur me ZKA-në dhe shpjegimeve përkatëse, madje edhe të opinionit ligjor, pas insistimit të vazhdueshëm për auditim, ka edhe një vendim të KGJK… Vendimi nuk e lejon këtë auditim…Ky vendim nuk ndryshon pavarësisht që diskutimi për këtë çështje nuk është ndal nga këndvështrimi i gjyqësorit konsiderohet i shterur dhe i përmbyllur, por nga pala tjetër vazhdon të jetë aktiv”, u shpreh Zogaj.

Përgjatë vitit që lamë, nga pushteti ka pasur kritika për sistemin gjyqësor dhe punën e gjyqtarëve, të cilat u konsideruan si ndërhyrje në drejtësi. Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj e konsideron të nevojshme të ndërrojë kjo qasje në raport me vendimmarrjen dhe drejtësinë.

“Të gjithë akterët duhet të rezervohen nga komentimi, nga atakimi, nga sulmet, nga vlerësimet dhe diskutimet për shkak se e kemi thënë edhe në rastet tjera… Është e qartë që gjyqësori ka disa garanci specifike për të ndërvepruar me pushtetet tjera dhe për t’i balancuar fuqitë, dhe nëse këto kritere dhe këto mekanizma cenohen definitivisht, gjyqësori vendoset në pozicion të pabarabartë. E para kur nuk e ka mbështetjen e duhur në kuptimin e buxhetit dhe resurseve dhe çështje që janë të rëndësishme për zhvillim normal dhe e dyta në këtë kontekstin e besimit të publikut, qasja e politikës dhe e pushteteve tjera në raport me gjyqësorin patjetër që e ndikon direkt publikun”, thotë Zogaj.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë 2024 ka shprehur pakënaqësi lidhur me mbështetjen buxhetore.

Pakënaqësitë pritet të vazhdojnë edhe përgjatë këtij viti. Raporti i EULEX-it për monitorimin e sistemit të drejtësisë 2024 ka treguar se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, e disa prej tyre rrezikojnë parashkrimin. Në bazë të këtij raporti, për institucionet drejtësisë sfidë mbetet produktivitet i seancave, ndërsa paraburgimi vazhdon të përdoret në mënyrë të tepruar.

Shija e redaktorit

Lirohet ish-ushtari i UÇK-së Hasan Dakaj, po mbahej në burg...

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i cili po mbahej në burg në Serbi është liruar sot(e premte). Lajmin për Dukagjinin e...

Memli Krasniqi: 2025 – Viti i drejtësisë, i fitoreve dhe...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke...

Të fundit nga rubrika