Zotimet e PDK-së për meritokraci në institucionet publike dhe për “pavarësi” të RTK-së

PDK-ja premton depolitizim të ndërmarrjeve publike dhe të institucioneve të pavarura. Kandidatët e kësaj partie për deputetë s’e mohojnë se kur kanë qeverisur kanë bërë gabime, por zotohen që nuk do t’i përsërisin ato nëse vijnë sërish në pushtet. Zotimi i tyre është se emërimet në pozitat e rëndësishme do të bëhen në mënyrë transparente dhe duke u mbështetur në meritokraci.

Kandidati i PDK-së, Kujtim Gashi. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Valdete Idrizi dhe Kujtim Gashi, kandidatë për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pretendojnë se nëse partia e tyre e fiton besimin për të qeverisur me vendin, pas 9 shkurtit 2025, do të zbatojnë ligjin në aspektin e përzgjedhjes meritore të kuadrove në bordet e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të pavarura.

Duke qenë se edhe vet kanë qenë në pushtet më parë, deri diku e pranuan se kanë bërë gabime, por u zotuan se të njëjtat do të mundohen të mos i përsërisin. Në këndvështrimin e tyre ata “janë të pastër” në çështjet e meritokracisë, ndërsa partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje, i ka kapur bordet e ndërmarrjet publike.

Sidoqoftë, të dy kandidatët për deputetë të cilët mbajnë pozita në institucionet lokale, Idrizi në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ndërsa Gashi në Komunën e Prizrenit, u sfiduan nga ekipi i “Debat Përnime” në lidhje me “punësimet partiake” që kanë ndodhur gjatë kohës kur ka qeverisur PDK-ja.

Kandidat i PDK-së për kryeministër është Bedri Hamza, ndërsa kundërshtarë në garën e 9 shkurtit e ka kandidatin e Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti; Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Në zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

Depolitizimi i institucioneve publike

Kujtim Gashi thotë se depolitizimi i ndërmarrjeve publike është i domosdoshëm, në mënyrë që bordet dhe drejtuesit e institucioneve gtë pavarura të jenë profesionistë të kualifikuar.

“PDK ka një plan të qartë që njerëzit të cilët janë të thirrur për me i kry punët në bazë të profesionit të tyre të jenë profesionistë të dëshmuar”- tha Gashi.

Ai ka kritikuar praktikat aktuale të zgjedhjes së bordeve, duke i referuar si shembuj negativë rastet në KEK dhe Ibër-Lepenc.

Nëse bordet janë të politizuara, atëherë sipas tij, ato borde “do ta sjellin edhe kryeshefin ose udhëheqësin e tyre politik”. Kjo praktikë, siç thotë ai, ka sjellë efekte negative si në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ashtu edhe në ndërmarrjen Ibër-Lepenc.

“Në KEK, një bord joprofesional del e zgjedh një kryeshef që pastaj i shërben partisë në pushtet”, thekson Gashi.

Rasti i Ibër-Lepencit, sipas tij, është edhe më shqetësues, pasi udhëheqësi i këtij institucioni ka pasur “aferë korruptive për shkak se ka një aktakuzë publike”.

Në përgjigje ndaj ekipit të “Debat Përnime”, të cilët ia përkujtuar se edhe PDK-ja në të kaluarën kishte vendosur në këtë pozitë njerëz partiakë, më saktësisht Hajdar Beqën, Gashi tha se në kohën kur Hajdar Beqa ishte kryeshef në Ibër-Lepenc, nuk ka qenë pjesë e PDK-së.

“Në kohën kur ai ka qenë kryeshef në Ibër-Lepenc, nuk ka qenë pjesë e PDK-së, dhe nuk ka qenë i përfshirë në strukturat partiake”- tha ai.

Faruk Mujka më parë ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar në kundërshtim me një interpretim të Ministrisë së Ekonomisë, u zgjodh kryshef i “Ibër Lepencit” nga Qeveria Kurti.

Kandidati i PDK-së, Kujtim Gashi. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Ai theksoi se pas përfundimit të mandatit si kryeshef, Beqa është bërë pjesë e PDK-së, por që, sipas tij, “PDK-ja ka shembuj të tjerë të suksesshëm si në Prizren, ku ndërmarrjet drejtohen nga individë profesionistë”.
Gashi ka theksuar gjithashtu se për të krijuar borde më të mira duhet të vendosen “kritere të ashpra” për anëtarët e atyre bordeve, të cilët duhet të jenë profesionistë dhe “të kenë kryer një detyrë të tillë para se të bëhen pjesë e bordit”.

Me ardhjen në pushtet të qeverisë së kryeministrit Bedri Hamza, sipas tij, “këto borde do të bien poshtë do të vinë borde profesionale”.

Gashi u sfidua nga ekipi i “Debat Përnime” se derisa PDK po e akuzon Qeverinë për falimentimin e ndërmarrjeve dhe për gjendje të vështirë financiare në to, në anën tjetër, partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje po akuzon se Postën dhe Telekomin i kanë gjetur me borxhe shkaku i qeverisjeve tw kaluara.

“Nëse ka qenë ashtu siç po thonë ata është dashtë me i ndryshuar këto ndërmarrje dhe me i vendos në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Ndërmarrjet në kohën e PDK-së kanë qarkulluar me miliona dhe këto ndërmarrje buxhetit të Kosovës i kanë sjellë miliona, të cilat më pasë janë kthyer në investime. Kurse sot edhe Postën dhe Telekomin e Kosovës, por edhe ndërmarrjet e tjera të fuqishme i kemi buzë falimentimit”- u përgjigj ai.

Për Telekomin, për të cilën shteti pagoi 62 milionë euro për shkak të humbjes në Gjykatën e Arbitrazhit, Gashi tha se beson që një qeveri e përgjegjshme nuk do duhej me e sjell një ndërmarrje në pozitën që të ballafaqohet me arbitrazh.

Sipas tij, këto probleme kanë pasë mundësi të zgjidhen me procese të negocimit dhe të ndërmejtësimit, sikurse edhe me një menaxhim të duhur.

“Kjo është pasojë e keqmenaxhimit, fillimisht nga vetë ndërmarrja Posta, nga vetë menaxhmenti i saj, e pastaj padyshim edhe nga vetë Qeveria e Kosovës, e cila asnjëherë nuk e ka adresuar këtë çështje”- tha ai.

I sfiduar nga ekipi i “Debat Përnime”, Gashit iu përkujtua se dënimi ka ardhur për shkak të veprimeve që kanë ndodh më herët, e jo në katër vitet e fundit.

Por, Gashi tha se dënimi mund të ketë pasuar nga problemet që kanë qenë të trashëguara, veçse dënimi është në këtë periudhë- në këtë qeverisje.

“Kjo qeveri nuk do duhej më pritë me ardh një dënim i tillë në kohën kur po e qeverisë Kosovën, sepse jam i bindur që ka pasë shumë mundësi dhe mënyra që mos me ardhë deri te kjo”- tha ai.

Ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës” dhe “Z-Mobile” në janar të 2009 kishin nënshkruar një marrëveshje me të cilën “Z-Mobile” bëhej operator virtual i Telekomit.

Ndërsa, në fund të muajit korrik të vitit 2019, “Telekomi i Kosovës” mori vendim që mos të vazhdojë kontratën me kompaninë “Z-Mobile” dhe si shkak i kësaj rasti përfundoi në Arbitrazh, ku më pasë Telekomi u detyrua t’i paguaj miliona euro kompanisë “Z-Mobile”.

I pyetur se a do të shkarkohet Bordi i KEK-ut, Gashi tha se të gjitha bordet që nuk janë profesionale dhe janë me militantë partiakë e qw janë zgjedhur në mënyrë anti-ligjore natyrisht që do të rishikohen.

Nga ana tjetër, Valdete Idrizi, ka premtuar se do të ketë një sistem të plotë meritokracie në procesin e rekrutimit.

“Normal që është në interes të Qeverisë së ardhshme që të kemi njerëz profesionistë”- tha ajo.

Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Idrizi ka shtuar se si pjesë e këtij angazhimi, të gjithë ata që do të aplikojnë për pozita udhëheqëse “kanë me iu nënshtruar procedurave të rekrutimit dhe se transparenca ka me qenë 100%”.

Ajo ka garantuar se proceset e rekrutimit nuk do të lejojnë shkelje të mëtejshme, siç pretendon se ka ndodhur në të kaluarën.

E përballur me pyetjen e ekipit të “Debat Përnime” se si planifikojnë ta ndryshojnë një gjë të tillë, meqenëse edhe në të kaluarën kur PDK-ja ka qeverisur, janë rekrutuar njerëz politik nëpër ndërmarrje, Idrizi është përgjigjur duke thënë se: “Bedri Hamza thotë që unë kam me garantu që të gjitha proceset kanë me shku duke i përfillë ligjet në fuqi”.

Ajo ka premtuar se në qeverinë e ardhshme do të punojnë ngushtë me shoqërinë civile dhe monitoruesit për të siguruar që “të gjitha proceset të jenë të hapura dhe të drejta”.

Sa i përket reformave në Trepçë, Idrizi ka theksuar se Qeveria e ardhshme do të adoptojë “procedurën e njëjtë me të njëjtat kritere dhe parimet e meritokracisë, transparencës dhe llogaridhënies”, për të siguruar që ndërmarrjet e tilla të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Si përfundim Kujtim Gashi tha se depolitizimi do të bëhet duke respektuar Ligjin për ndërmarrjet publike, procedurat se si rekrutohen, vlerësimi se sa ka pasur rezultat një bord i caktuar, një kryeshef i caktuar dhe po ashtu se në çfarë gjendje momentale është ndërmarrja.

“Pas këtij vlerësimi, sidomos pas vlerësimit të plotë se si kanë funksionuar ndërmarrjet do të merren veprime konkrete ligjore, që janë të qarta, të bazuara në ligjin dhe në procedura të brendshme”- tha ai.

Gjatë katër viteve të fundit, KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për problemet në Trepçë. Së fundmi kryeshefi Enis Abdurrahmani u largua përkohësisht nga puna nga menaxhmenti aktual.

Gjiganti metalurgjik, që dikur kishte nam në gjithë Ballkanin Perëndimor, sot përballet me mungesë të investimeve nga shteti i Kosovës. Makineritë e vjetruara e mungesa e pjesëve rezervë, kanë vështirësuar prodhimin e të hyrat. Në anën tjetër, rrëfimi i minatorëve që punojnë qindra metra nën sipërfaqen e tokës shpërfaqin mungesën e kushteve elementare të punës.

Përplasje mes dy pushteteve

Kujtim Gashi ka qenë ministër i Kulturës në kohën kur ka qeverisur PDK-ja. E, këtë pozitë në kohën e qeverisjes së Albin Kurtit e ka bashkëvendësi i tij nga Prizreni, Hajrulla Çeku.

Ai u kundërpërgjigj edhe në lidhje me pyetjen e ekipit të “Debat Përnime” përkitazi me kritikat e ministrit Çeku për administratën në Ministrinë e Kulturës, se kanë bërë ndryshime në Ministri për shkak se e kanë gjetur dosje korrupsioni dhe se po i ndalin abuzimet dhe po e luftojnë korrupsionin.

“Ministri Çeku dhe kjo Qeveri mendojnë që historia fillon në ditën që ata kanë ardhur në pushtet. Administrata e shtetit është administratë profesionale, janë shërbyesit civilë që kanë kryer punë ndoshta me dy dekada e më shumë”- u përgjigj Gashi.

Ai kritikoi ministrin Çeku se “për dy-tri vite i ka ndërruar pesë-gjashtë sekretarë”.

“[Çeku] duhet me mendu që problemi është te vetja e jo te stafi”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, Ministria e Kulturës në kohën kur e ka drejtuar ai, ka pasur drejtorë që kanë qenë shembull se si drejtohen dikasterët, e sot janë shembull jashtë Ministrisë.

“Mua më vjen keq që ky ministër që vjen nga shoqëria civile dhe do duhej të ishte shembull se si bëhet profesionalizmi edhe puna e secilit, me të ardhur aty ka bërë pastrimin, largimin e drejtorëve që kanë dhënë kontribut…”- tha ai.

Ndërkaq, në lidhje me pyetjen se çfarë do të bëjnë me kontratat e angazhimit të super-ekspertëve për shërbime të jashtme dhe jo vetëm, Gashi tha se ato janë kontrata të dyshimta.

“Edhe unë kam qenë ministër. I kam pasur ekspertët e angazhuar prej jashtë për me punu në strategji. I njëjti ekspert që është paguar 500 euro sot paguhet 5000 euro. Kjo tregon për dyshimet faktike që ndodhin në këtë ministri dhe në këtë qeveri”- tha ai.

Gashi tha se kontratat e dyshimta do të iniciohen në procedurë hetuese dhe të gjitha do të publikohen në një raport publik ku do të kenë qasje mediat, shoqëria civile dhe institucionet e hetuesisë.

“Sepse në një terren sportiv, një shtëpi e kulturës ka kushtuar në kohën time 2 milionë e 3 milionë, sot janë ka 15 e 20 milionë. Nuk besoj që aq ka mbërri inflacioni, por këto shuma janë marramendëse”- pretendon ai.

Në lidhje me kontratat e lobimit, që edhe PDK-ja ka pasur skandale me to në të kaluarën, Gashi tha se Kosova ka emra të fuqishëm në botë që mund të shfrytëzohen për lobim me më pak shpenzime.

“Jam i bindur që Kosova ka sot emra të kulturës, sportit, artit, emra të mëdhenj në botë që mundet me i vendos në funksion të lobimit pa pasë nevojë me shfrytëzu mjete të mëdha marramendëse përmes kompanive. Na kemi emra si Bebe Rexha, Rita Ora, Majlinda Kelmendi të cilat mundemi me i shti në funksion në arenën ndërkombëtare”- tha ai.

Çkapja e RTK-së

Në lidhje me “çkapjen” e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) nga ndikimi politik, Valdete Idrizi tha se aty ku ka shkelje duhet të merren masa. Megjithatë, ajo nuk paraqiti një zgjidhje konkrete.

“Nuk mund të them tash se aq persona, se nuk jam kompetente (kanë me u shkarku). Për parime dhe procedura dhe respektim të ligjit po them si një garantuese e ligjit… që të gjithë kanë me u krenu me RTK-në”- tha ajo.

Ndërsa, Kujtim Gashi u pajtua që edhe në të kaluarën herë pas here ka pasë mundësi që një anëtar i bordit me qenë më i afërt me një subjekt politik edhe nëpër ndërmarrje, por sipas tij, “jo në këtë nivel”.

“Drejtorët, drejtori i përgjithshëm, komplet bordi, udhëheqësit e bordit të gjithë janë militantë. Fatkeqësisht sot nëse ju ka ra me fol me gazetarë brenda, redaktorë, kryeredaktorë a e dini çfarë presioni ka? Asnjë kronikë nuk guxon me dalë për një projekt të një qyteti që nuk e udhëheq VV-ja”- pretendoi ai.

Kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Sipas tij, në Prizren e kanë pasur të pranishme RTK-në kur janë bërë disa përurime, por asnjëherë nuk janë transmetuar ato kronika.

“Ju e keni parë kush e menaxhon RTK-në. Fatkeqësisht nuk menaxhohet as prej bordit, as prej drejtorit të përgjithshëm e as prej një njeriut që është sot në RTK, por menaxhohet nga zyrat, aty ku e ka selinë Vetëvendosja”- tha ai.

I pyetur se si mundet PDK-ja ta kthej RTK-në te publiku, Gashi tha se pasi të betohet legjislatura e re, “në dy-tri seancat e para duhet ta zgjedh bordin e ri profesionist të cilën e ka zgjedh edhe ne të kaluarën”.

“Po pajtohem që ka pas interferime të vogla, por jo të këtij niveli”, ka deklaruar ai.

Raporti i Progresit i vitit 2024 i Bashkimit Europian për Kosovën ka theksuar se nuk ka pasur progres në gjetjen e një modeli të financimit afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Ndër të tjera Raporti i Progresit ka përmendur dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së dhe të tre anëtarëve të bordit. Bashkimi Europian e ka vlerësuar të rëndësishme që drejtori i ardhshëm i Radio Televizionit të Kosovës të emërohet përmes një procesi të bazuar në merita, për të siguruar autonomi institucionale dhe pavarësi editoriale. Aty përmendet dorëheqja e ish-drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili kishte thënë se dorëheqja e tij vjen pas presioneve politike.

Përvoja e PDK-së në qeverisje

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për meritokraci se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetër e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.

Shija e redaktorit

Nora Gjakova fiton medaljen e bronztë në Paris

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, që është e treta nga Franca për Kosovën. Gjakova e fitoi duelin...

Distria e fiton medaljen e bronzt në Grand Slamin e...

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris. Xhudistja kosovare fitoi me waz-ari ndaj xhudistet nga...

Shkruan Romeo Çollaku, përkthyesi i romanit “Lugina e lumit Issa”...

Përkthyesi i librit, Romeo Çollaku, ndan me lexuesit historinë e “Lugina e lumit Issa” shkruar nga autori polak Czesław Miłosz. Nga ROMEO ÇOLLAKU Romani Lugina e lumit...

Të fundit nga rubrika