Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar listën e përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë të saj në rastin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në shkresën e ZPS-së thuhet se duke marrë parasysh natyrën e përkohshme të kësaj liste dhe fazën e procedurës, lista mbetet në shqyrtim dhe mund të nevojiten rregullime, si për dëshmitarët, ashtu edhe për deklaratat.
“Në bazë të urdhrave, Zyra e Prokurorit të Specializuar (“SPO”) paraqet një listë të përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë që do të thirren në gjyq dhe, si të rëndësishme për këta dëshmitarë, deklaratat që synon të kërkojë të pranojë në përputhje me Rregullën 154”, thuhet në shkresën e ZPS-së, shkruan BetimipërDrejtësi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.
Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.