Prokurorja Speciale, Clare Lawson, gjatë pyetjeve të saj plotësuese për dëshmitarin Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, e quajti të pasaktë deklarimin e Rrustem Mustafës për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe qëndrimit të tyre jashtë vendit.
Kjo pasi ajo e pyeti dëshmitarin se Lah Ibrahimi a kishte qëndruar jashtë vendit dhe Mustafa tha se jo, më tej tha edhe se Rexhep Selimi ‘‘ka pasur kohë që ka qenë jashtë, po kryesisht ka qenë brenda vendit’’, kurse tha se Fatmir Limaj ka ardhur vonë në shtab, por e di se gjatë bombardimeve ka udhëtuar në shtetin shqiptar, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
‘‘Mund të konkludojmë si përfundim se duhet me u korrigjua deklaratën dhe se nuk është e saktë se gjithë anëtarët e shtabit të përgjithshëm kanë qëndruar jashtë vendit’’, tha prokurorja Lawson.
Kurse, dëshmitari Mustafa i ka kthyer përgjigjen se mund të merret si të donë, por se shumë nga ata anëtarë ku përmendi Adem Grabovcin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, sipas tij, kanë qëndruar më shumë jashtë vendi sesa brenda.
Paraprakisht, dëshmitari tha edhe një herë se deri në momentin e Rambujesë, nuk e kishin ditur se Azem Syla ishte komandat dhe kërkesën që të bëhej publike nga Shtabi i Përgjithshëm e kishin bërë bashkërisht të gjithë komandantët e zonave.
Duke i lexuar një deklaratë të mëhershme e që Mustafa i pranoi si mendime të tij të përgjithshme për një periudhë e që ishte thënë se Rexhep Selimin ndonjëherë e kishte menduar se është komandant i zonës në Drenicë e ndonjëherë se mund të jetë komandant i përgjithshëm.
Ndërkaq, edhe një herë tha lidhur me Jakup Krasniqin se e janë drejtuar dhe njohur si zëdhënës të UÇK-së dhe se tek pas luftës i kanë mësuar çështjet tjera.
Ndërkaq, kur nga prokurorja Lawson iu paraqit shënimi ku thuhej nga Sylejman Selimi se ‘‘Jakup Krasniqi me gjithë respektin që kam, nuk është personi i duhur, nuk e meriton postin e zëvendës komandantit’’, dëshmitari u përgjigj se ‘‘këtu po flitet për përfundimet që i kemi ditur si komandantë të zonave pas luftës, nuk po më kujtohet, po kështu kemi menduar ne komandantët e zonave në atë kohë, nuk e kemi njoftur si zëvendës’’.
Më tej, ai tha se mund të pranohet që UÇK nuk ishte ushtri e rregullt dhe nuk kishte ndarje të përgjegjësive të qarta, si dhe pohoi se zonat ishin në nivelin e dytë të zinxhirit e komandës që ishin, sipas tij, përpjekje për organizim më të mirë.
Në vazhdim të dëshmisë së tij, prokurorja i ka lexuar disa fragmente të deklaratës së tij të mëhershme, kur Mustafa tha se ‘luajtja me terma’, në kuptimin e urdhrit, rekomandimit apo udhëzimit administrativ nuk ka qenë për zbehje të urdhëresës administrative nga shtabi, por sipas tij, mundësinë për t’i zbatuar kanë qenë të vogla.
Ai tha sërish se shumë prej tyre nuk kanë mundur t’i vënë në jetë asnjëherë, madje disa prej tyre nuk i kanë marrë parasysh fare.
Kurse, ai tha se problemet në emërtime nga shtabi i përgjithshëm kanë qenë shqetësuese, por për të ishte më së shumti se pse Adem Demaçi nuk po mund të pajtohej me udhëheqjen që po vazhdonte në Rambuje.
Prokurorja i lexon një deklarim të tij në njërin prej takimeve kur kishte thënë se nuk kundërshton në përgjithësi shtabin e përgjithshëm, por vetëm disa persona, e që Mustafa tha se i nuk kujtohej, por që duket të jetë kështu, pasi është pjesë e procesverbalit.
Po ashtu, iu lexua edhe pjesa ku kishte thënë se ‘‘nuk besoj se asnjë nga shtabi i përgjithshëm nuk ka përdorur SHIK-un për të ushtruar presion, trysni’’, e që ai tha se s’mundet të japë koment pasi nuk e di se çfarë ka menduar në atë kohë.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari tha se pjesëtarë të FARK-ut i ishin bashkuar UÇK-së, por sipas tij, s’ka pasur emblema të FARK-ut në zonën e tij.
Ndërkaq, i pyetur se kur ai kishte thënë ‘‘jo’’ në pyetjen e mbrojtjes nëse komunikata 54 ka lidhje me qendrat e ndalimit në zonën e tij, atëherë mbi cilin autoritet ishin ngritur qendrat e ndalimit, ai u përgjigj ‘‘ne edhe para saj deklarate të shtabit të përgjithshëm, kemi pasur shtëpi ndalimi, ishte nën autoritetin e shtabit që po udhëheqja unë’’, duke shtuar se i kanë vendosur mbi arsyet ushtarake e që pjesë e tyre është edhe komunikata.
Seanca ka vazhduar me kundërpyetjet plotësuese nga mbrojtja./Betimipërdrejtësi