ZPS-ja kërkon që Pjetër Shala të dënohet me 28 vjet burgim

Në përfundim të parashtrimeve të veta, prokurorja Eva Wyler kërkoi nga trupi gjykues që të caktohet dënim unik ndaj Pjetër Shalës me kohëzgjatje prej 28 vjet burgim për krime lufte, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme

Pjeter Shala

Në përfundim të parashtrimeve të veta, prokurorja Eva Wyler kërkoi nga trupi gjykues që të caktohet dënim unik ndaj Pjetër Shalës, me kohëzgjatje prej 28 vjet burgim, për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

“ZPS-ja kërkon që trupi gjykues të caktojë dënime në vijmë ndaj të akuzuarit për krimet individuale për të cilat akuzohet. Pika 1; për ndalim arbitrar tetë vjet burg. Pika 2; Trajtim mizor, 15 vjet burg. Pika 3; Torturë, 20 vjet burg. Për pikën 4- Vrasje, 26 vjet burg. Në përputhje me rregullën 1634 të Rregullores, trupi gjykues të caktojë një vendim të vetëm që pasqyron tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit. ZPS-ja kërkon që të caktohet ndaj të akuzuarit një dënim i vetëm prej 28 vjet burg”, tha prokurorja Wyler.

Sipas Wyler, ndryshe nga përshkrimi që i bën mbrojtja, Shala ka qenë një person që i ka bërë 18 persona viktima të ndalimit arbitrar, të trajtimit mizor, të torturës dhe të vrasjes së njërit prej tyre.

“Mbrojtja e përshkruan të akuzuarin si një ushtar i thjeshtë i UÇK-së, i cili ndihmoi popullin e tij për të luftuar në front. Provat në këtë çështje që kemi në dispozicion megjithatë vërtetojnë se ai ishte sigurisht edhe një tjetër person. Një person i cili ka bërë 18 persona viktima të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së njërit prej tyre”, tha prokurorja.

Me kaq përfundoi seanca e sotme në çështjen gjyqësore, për të vazhduar edhe nesër me deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së viktimave, më pas me mbrojtjen e Shalës.

ZPS: Shala ka kontribuuar në ndërmarrjen e përbashkët kriminale me Xhemshit Krasniqin, Sabit Gecin e ushtarë të tjerë

(Përditësuar, ora 15:56)- Prokurori Felippo De Minicis tha se Pjetër Shala ka qenë pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale së bashku me Xhemshit Krasniqin, Sabit Gecin e ushtarë të tjerë.

Në fjalën përmbyllëse të ZPS-së, prokurori tha se i akuzuari ka kontribuuar në këtë qëllim të përbashkët kriminal, raporton Betimi për Drejtësi”.

“NPK (Ndërmarrje e përbashkët kriminale) siç përshkruhet në aktakuzë, për qëllim të përbashkët kishte që të merrnin në pyetje dhe t’i keqtrajtonin të ndaluarit në fabrikën e metalit të Kukësit, dhe këtu përfshihen veprat penale të ndalimit arbitrar, të trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme. I akuzuari ka kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme në këtë qëllim të përbashkët dhe ka pasur synimin apo dashjen për t’i kryer këto vepra”, tha ai.

Prokurori De Minicis tha se dëshmitë për ekzistencën e kësaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale janë të shprehura në dosjen e Prokurorisë.

“Anëtarë të kësaj NPK-je, krahas të akuzuarit janë Xhemshit Krasniqi, Sabit Geci, ushtarë të tjerë të UÇK-së si dhe policë, përfshirë këtu persona që identifikohen si Bedriu apo Vandami. Dëshmia për ekzistencën e NPK-së dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarit, pra për pjesëmarrje në vepra penale shprehet në dosjen e Prokurorisë”, tha prokurori De Minicis.

Tutje, prokurori filloi me kundërargumente në parashtrimet e mbrojtjes, sa i takon ekzistencës së qëllimit të përbashkët kriminal që përmendet në dosjen e ZPS-së.

“Do të filloj me parashtrimet e mbrojtjes sa i takon ekzistencës së qëllimit të përbashkët kriminal që përmenden në dosjen tonë. Mbrojtja thotë që Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që një grup personash, duke përfshirë edhe të akuzuarin ishin pajtuar që të ndiqnin një plan të përbashkët kriminal që përmenden në aktakuzë. Po ashtu, thotë që nuk ka asnjë dëshmi për komunikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë mes anëtarëve të pretenduara të NPK-së. Parashtrimet bazohen në interpretimin e gabuar të ligjit sa i takon NPK-së, por gjithashtu kanë shtrembëruar faktet”, tha Prokurori.

Por, që të ekzistojë ndërmarrja e përbashkët kriminale, sipas prokurorit, nuk ka nevojë të vërtetohet se a ka pasur pajtim paraprak.

“Prokuroria nuk ka pse të vërtetojë që plani ishte dakorduar paraprakisht, apo formuluar paraprakisht. Plani mund të materializohet në çast dhe ekzistenca është e vërtetuara nga veprimet e dirigjuara të këtyre anëtarëve të NPK-së”, tha ai.

Prokurori De Minicis tha se ka dëshmi që ka pasur veprimtari të dirigjuara sa i takon atyre që përmenden në këtë dosje.

“Pjesëmarrja e të akuzuarit në incidentin e 20 majit 1999, në fakt këtu janë të gjithë anëtarët e NPK-së ku përfshihet edhe i akuzuari, shto incidentin që është diskutuar në dosjen tonë paraprake apo fakti që i akuzuari ka transportuar dëshmitarin 4733 drejt fabrikës së metalit në Kukës dhe u rrah. Të gjitha këto në vetvete janë shembuj të qartë të veprimeve të dirigjuara në mes këtyre personave”, tha ai.

Sipas tij, janë edhe dëshmi të faktit që ka pasur veprimtari të dirigjuara, në fakt thotë se janë të thëna edhe nga i akuzuari.

“Ai ka thënë se ka rrahur disa nga viktima pasi ia kishte kërkuar këtë Sabit Geci që është njëri nga anëtarët kryesor të NPK-së, Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale. Mbrojtja po ashtu, argumenton se i akuzuari nuk mori pjesë në disa prej veprimeve konkrete që janë pjesë e krimeve që karakterizohen si qëllim i përbashkët”, tha prokurori.

Ai gjithashtu tha se kontributi i të akuzuarit në këtë plan ka qenë i konsiderueshëm.

“Kontributi i të akuzuarit në planin e përbashkët kriminal ka qenë i konsiderueshëm, që i akuzuari të jetë përgjegjës për krimet që janë pjesë e planit të përbashkët nuk është e nevojshëm që ai të ketë marrë pjesë në çdo aspekt të mundshëm të atij plani. Jurisprudenca përkatëse lidhur me këtë burojnë që nga çështje e pasluftës së Dytë Botërore”, tha prokurori De Minicis.

De Minicis specifikoi sërish se i akuzuari ka pranuar disa gjëra lidhur me pjesëmarrjen për krimet të cilat po akuzohet.

“Përgjegjësia e të akuzuarit në këtë çështje është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm nga burime të shumta provash... I akuzuari ka pranuar disa gjëra lidhur me pjesëmarrjen e tij për krimet të cilat akuzohet. Pranimet e tij janë të pjesshme dhe kufizohen në atë që mendon që ishte për t’u paraqitur i besueshëm përpara hetuesve duke e shmangur Prokurorinë”, tha prokurori.

Ai theksoi që kishte edhe kontradikta në mes deklaratave të Shalës të dhëna më 2016 dhe 2019.

Prokurori po ashtu tha se dosja e mbrojtjes është mbushur me pretendime se nuk ka prova për pjesëmarrjen e të akuzuarve apo që i njëjti nuk a njohuri sa i takon mbajtjes apo keqtrajtimit të dikujt. Ndërsa, shtoi se dëshmitarët e besueshëm e vërtetojnë të kundërtën.

Ndërsa, prokurorja Gaya Pergolo tha se dëshmitarët e mbrojtjes vazhdimisht kanë deklaruar se nuk e kanë parë të akuzuarin në uzinë e po ashtu që nuk e kanë parë as godinën ku janë kryer krimet për të cilat akuzohet Shala.

Pergolo përmendi dëshmitarët Zijadin Hoxha, Naser Koqinajn dhe Mark Shalën.

Sipas saj, Zijadin Hoxha ka pretenduar se nuk shikonte mirë godinat për shkak të pranisë së kamionëve dhe si rezultat nuk mund t’i shihte ndërtesat tjera.

Për Naser Koqinajn, prokurorja tha se ai ka deklaruar që nuk mbante mend të ketë parë këtë godinë pasi që atij nuk i ka interesuar që të shihte rreth e çark përveç punës që e bënte.

Megjithatë, për Mark Shalën i cili ka punuar si shef i logjistikës për Operacionin “Shigjeta” kishte deklaruar se nuk i kujtohej ndërtesa ku thuhet se janë kryer krimet e që sipas prokurores këto deklarata të tre dëshmitarëve nuk ishin të besueshme.

 

Prokurori De Minicis për Shalën: Meriton dënim të rëndë, karakteri i tij nuk ka ndryshuar

(Përditësuar, ora 10:50)-Gjatë deklarimit të tij përmbyllës, prokurori Filippo De Minicis i cili përfaqëson ZPS-në tha se Pjetër Shala meriton dënim të rëndë duke specifikuar se karakteri i tij nuk ka ndryshuar që nga koha kur pretendohet se ka kryer krime lufte në fabrikën e Metalit në Kukës.

Filippo De Minicis tha se dënimi që kërkon ZPS-ja vjen si rezultat i një shqyrtimi të kujdesshëm të gjithë faktorëve përkatës e në veçanti sjelljes së të akuzuarit dhe veprimeve të tij.

“Kontributi që ka dhënë ai në këto krime ka qenë i konsiderueshëm. Ai ka ushtruar një dhunë të frikshme kundrejt viktimave të terrorizuara. Të rrahesh persona që nuk mund të mbrohen nuk është luftë, është një akt frikacak i pajustifikueshëm dhune. I akuzuari nuk bëri asgjë për të iu lehtësuar dhimbjet. Më së paku, do të ishte larguar teksa ndodhnin këto mizori, por ai nuk e bëri. Ai rrahu njërin pas tjetrit dhe koha nuk e ka ndryshuar karakterin e tij. Për të gjitha këto arsye, ai meriton dënim të rëndë”, tha prokurori Filippo De Minicis.

Po ashtu, prokurori De Minicis tha se dëshmitarët e mbrojtjes kanë gënjyer ndërsa deklaratat e viktimave ishin të vërteta.

“Dëshmitarët e mbrojtjes pretendojnë se nuk e kanë parë asnjëherë Pjetër Shalën në fabrikën e Metalit në Kukës dhe madje nuk e dinin se kush ishte, por këta janë të njëjtit dëshmitar që thonë që nuk e kanë parë asnjëherë objektin e ndalimit në mes të Fabrikës së Metalit të Kukësit. Një ndërtesë para se cilës kalonin me muaj të tjerë gjatë kohës që shërbenin për UÇK-në që është e pamundur të mos e shohësh. Ata nuk e panë asnjëherë këtë ndërtesë dhe nuk e panë asnjëherë të akuzuarin. Dëshmia që keni dëgjuar ju i nderuar gjykatës është e thjeshtë; këta  dëshmitar nuk e tregonin të vërtetën, por viktimat nuk gënjenin. Historitë e tyre përputheshin dhe konfirmohen nga deklaratat e vetë të akuzuarit”, tha ai.

Tutje, fjalën e mori prokurorja Eva Wyler, për të përshkruar vendin ku pretendohet se kanë ndodhur krimet dhe ambientet e fabrikës së Metalit në Kukës.

Wyler tha se krimet e përmendura në aktakuzë kanë ndodhur të gjitha në Kukës përkatësisht në një fabrikë të vjetër  të metalit e cila përdorej si shtab lokal i UÇK-së.

Sipas saj, disa pjesëtar të UÇK-së duke përfshirë edhe të akuzuarin i kanë përdorë disa ambiente të fabrikës së Metalit për kryerjen e krimeve kundër të paktëve 18 viktimave.

“Askush prej këtyre viktimave nuk ka marrë pjesë në mënyrë aktive në luftime atë kohë kur janë arrestuar, kur janë ndaluar apo kur janë keqtrajtuar ose në një rast prej të ndaluarve kur ai është vrarë. Asnjë prej tyre nuk përbente asnjë lloj kërcënimi ushtarak për UÇK-në. Në çdo rast kur kanë qenë në ruajtje të personave që i kanë kapur ata, ata të gjithë kanë pasur të drejtë që të gëzojnë mbrojtjen që iu ofron neni 3 i konventave së Gjenevës”, tha prokurorja Wyler.

Ajo tha se për ndalimin e tyre viktimave nuk iu është dhënë asnjë lloj arsye përveç akuzave të përgjithshme për tradhti dhe spiunazh.

“Viktimat janë arrestuar, janë marrë dhe janë dërguar në fabrikën e metaleve ku edhe janë ndaluar. Disa prej tyre janë mbajtur disa ditë ndërkohë që të tjerët janë mbajtur për me tepër se sa një muaj. Nuk iu është dhënë atyre asnjë lloj arsyeje për arrestimin e tyre përveç se disa akuzave të përgjithshme të pabazuara që ishin tradhtar, bashkëpunëtor apo spiun”, tha prokurorja duke shtuar se dëshmitarët e kanë përshkruar njërën nga ndërtesat ku janë kryer krimet si ‘zemra e shtabit’”, tha prokurorja Wyler.

ZPS: Shala e ka pranuar se ka marrë pjesë në disa krime, ka thënë se nuk është pishman për disa rrahje të kryera

(Përditësuar, ora 10:20)-Gjatë deklaratave përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurori Filippo De Minicis tha se Pjetër Shala e ka pranuar se ka marrë pjesë në kryerjen e disa krimeve.

“Qëndrimi i Prokurorisë mbështetet në shtylla të shumta dhe solide. Provat sa i takon përgjegjësisë së ta akuzuarit vijnë nga dëshmitarë të tjerë të ndryshëm dhe dëshmia e tyre ka qenë konsistonte dhe konfirmonte dëshminë e njëri-tjetrin. Sa u takon këtyre dëshmive, kemi deklaratën e të akuzuarit. Ai e pranon se ka qenë në Kukës gjatë periudhës së përcaktuar në aktakuzë. Po ashtu, ka pranuar se ka marrë pjesë në disa nga krimet, ndonëse pranimet në këtë drejtim kanë qenë të pjesshme”, tha prokurori, Filippo De Minicis, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke folur për përgjigjet e Mbrojtjes, prokurori De Minicis tha se për ata nuk ka rendësi se i akuzuari ka pranuar se ka rrahur disa prej viktimave për të cilat ka thënë se nuk është pishman dhe se të njëjtën gjë do ta bënte edhe sot.

“Si i përgjigjet mbrojtja akuzave dhe dëshmive që kemi dëgjuar ne që i mbështesim këto akuzua; Qëndrimi i mbrojtjes është që i akuzuari ka qenë një luftëtar lirie, u largua nga Belgjika në 1999 që të shkonte në Shqipëri që të luftonte për lirinë e vendit të tij dhe ka qenë pak herë në fabrikën e Metalit të Kukësit ku shkonte për të quar furnizime dhe më pas kalonte në vijën e frontit. I akuzuari, thotë mbrojtja nuk ka asnjë lidhje me krimet për të cilat akuzohet.  Mbrojtja shprehet se viktima që e ka identifikuar si kryerës ose gënjejnë ose e kanë gabim ose të dyja bashkë. Nuk ka rendësi se edhe i akuzuari e ka pranuar në fakt se ka rrahur disa prej këtyre viktimave dhe se tha se nuk është pishman dhe se do ta bënte edhe sot të njëjtën gjë”, tha ai.

De Minicis tha se akuzuat e tyre mbështetën në dëshmi të anëtarëve të UÇK-së të cilët kanë qenë në fabrikë dhe se për dëshmitarët që tashmë kanë vdekur, vuajtja e tyre është pasqyruar në pranimin e pjesshëm që ka bërë i akuzuari.

“Pastaj, kemi dëshminë e anëtarëve të tjerë të UÇK-së që kanë qenë në fabrikë dhe e kanë parë të akuzuarin atje në të njëjtën kohë që kanë thënë edhe viktimat se ai ka qenë pjesë e keqtrajtimit të tyre. Të gjitha përputhen dhe vërteton që ai i ka bërë ato për të cilat akuzohet. Jo të gjithat viktimat e patën mundësinë të dëshmonin këtu. Fatkeqësisht disa prej tyre kanë vdekur përpara se të fillonte ky gjykim, por historitë e tyre janë deklaratat e mëparshme, në dëshmitë e personave të tjerë që kanë qenë të ndaluar me ata dhe dëshmitë e anëtarëve të tyre të familjes. Në fakt, vuajtja e tyre është pasqyruar në pranimin e pjesshëm që ka bërë vetë i akuzuari”, tha prokurori De Minicis.

ZPS kërkon që Pjetër Shala të shpallet fajtor: Askush nuk mund t’i  shmanget përgjegjësisë penale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po dëgjohen deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

Përfaqësuesi i ZPS-së, Filippo De Minicis tha se askush nuk mund të iu shmanget përgjegjësisë penale dhe se kërkojnë që Shala të shpallet fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kur i akuzuari u largua nga Shqipëria për një jetë në Belgjikë në vitin 1999…dhe t’i linte të gjitha pas, por nuk u shpëtohet krimeve të luftës. Ata që kanë kryer krime lufte, asnjëherë nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë. Ata do të ndiqen penalisht kudo që janë dhe sa herë që gjenden. Është fal këtij parimi qe ne mund ta sillnim të akuzuarin para jush sot që përballët me gjykimin e tij. Ne kërkojmë që ta shpallni fajtor për krime që ka kryer”, tha ai.

Prokurori De Minicis tha se një prej viktimave të Shalës vdiq në fabrikën e Metalit në Kukës ndërsa, viktimat tjera kanë shenja të përhershme fizike.

“Kjo është çështja e dytë që lidhet me krimet e luftës që janë gjykuar në këtë gjykatë. Çështja e parë ka përfunduar. Është një çështje për llogaridhënie. Viktimat e krimeve të të akuzuarit nuk mund të largoheshin. Një prej tyre, vdiq në fabrikën e metalit të Kukësit e të tjerat kanë shenja të përhershme fizike e përndiqen prej asaj përvoje. Ata nuk mund të harrojnë. Ata dhe familjet e tyre na kanë përshkruar traumën e gjatë dhe të thellë prej të cilës vuajnë. Shumica e dëshmitarëve, nuk e kanë rrëfyer për herë të parë historinë e tyre këtë e kanë bërë për shumë vite, edhe në gjykimet e tjera të mëparshme, megjithatë ishin të gatshëm të vinin serish këtu t’i përjetonin edhe njëherë ato ngjarje se ende besojnë që ka ende drejtësi dhe këtë drejtësi mund ta ofrojë kjo gjykatë. Ata besojnë në parimin e llogaridhënies dhe mbi këtë parim është i akuzuari përpara kësaj gjykate”, tha ai.

Prokurori tha se akuzat në këtë çështje gjyqësore lidhen me krimet e kryera afërsisht në mes datës 17 maj dhe 5 qershor 1999.

“Akuzat në këtë çështje gjyqësore lidhen me krimet që janë kryer përafërsisht mes datës 17 maj dhe 5 qershor 1999 në një fabrikë të vjetër metali në qytetin e Kukësit në veri të Shqipërisë, me pak përjashtime, viktimat ishin shqiptar të Kosovës”, tha prokurori  De Minicis.

De Minicis theksoi se Shala akuzohet për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

“Pjetër Shala, i akuzuar në këtë çështje gjyqësore akuzohet me krimin e luftës; Ndalimin arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme. Gjatë periudhës së përcaktuar në aktakuza ai ka qenë anëtar i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës”, tha prokurori De Minicis.

Tutje, ai tha se viktimat në këtë çështje gjyqësore u shenjestruan nga i akuzuara mbi akuza të vagullta dhe të pavërtetuara për tradhti dhe spiunazh.

“Viktimat në këtë çështje gjyqësore si burra dhe gra u shenjestruan nga i akuzuari dhe nga disa anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi akuza të vagullta dhe të vërtetuara u quajtën tradhtar dhe spiun. Ata u ndaluan kur ishin në momentet e tyre më të dobëta. U rrëmbyen në rrugë pasi ishin arratisur nga shtëpitë e tyre, u morën prej kampeve të refugjatëve ku kishin gjetur strehë ose u arrestuan teksa përpiqeshin t’i kyçeshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u privuan prej lirisë dhe u mbajtën të ndaluar në mënyrë arbitrare dhe u mbajtën të ndaluar në fabrikën e Kukësit në kushte çnjerëzore dhe u keqtrajtuan nga i akuzuari dhe kryes të tjerë”, tha ai.

Po ashtu, prokurori tha se ndalimi i këtyre personave nga ana e Shalës ishte krejtësisht i paligjshëm.

“Ndalimi i tyre ishte krejtësisht i paligjshëm sipas të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare. Dhuna e ushtruar ndaj tyre nuk ishte vetëm një dhunë penale, por veçonte cdo të drejtë njerëzore standarde. Një prej këtyre viktimave, shqiptar i ri i Kosovës, u arrestua e u rrah egërsisht me ditë të tëra dhe më pas u vra. Ai nuk ishte aspak i rrezikshëm për kryerësit të cilët vendosen të ia merrnin jetën. I akuzuari ishte njëri prej këtyre kryerësve. Viktima e vrasjes së paligjshme nuk jetoi të shihte fundin e luftës. Ai nuk jetoi që të festonte me familjen e tij, me shokët e tij dhe me të dashurit e tij. As nuk mund të shihte se çfarë e priste vendin e tij pas luftës. I akuzuari dhe kryerësit e tjerë ia hoqën këtë mundësi”, tha ai

Ai tha se viktimat që tashmë kanë mbijetuar kanë pasoja fizike dhe psikologjike që i përcjellin edhe pas asaj ngjarje.

“Viktimat e tjera, ata që mbijetuan kanë pasoja fizike dhe psikologjike të këtij trajtimi dhe për vite i kanë përjetuar pas kësaj përvoje. Disa prej tyre ende vuajnë prej tyre. Kujtimet e ndalimit që knaë pasur në Kukës iu dalin në gjumë por edhe kur janë zgjuar… këto kujtime ende ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, punën e tyre”, tha prokurori.

Ndryshe, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia tha se mbrojtja e ka dorëzuar dosjen e saj gjyqësore një ditë pasi kishte kaluar afati i përcaktuar nga trupi gjykues. Mirëpo, sipas saj, mbrojtja ishte arsyetuar se gjoja kanë ndodhur disa probleme teknike kështu që këto dokumente u pranuan si të vlefshme në përputhje me rregullat.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Ndërsa, seancat për deklaratat përmbyllese të palëve në këtë çështje janë caktuar për në muajin prill.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

 

ZPS kërkon dënim të rëndë për Pjetër Shalën

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika