Prokuroria e Specializuar në Hagë ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjyqi ndaj tyre kishte filluar më 3 prill 2023.
Sipas një komunikate për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thirrur 125 dëshmitarë për të dhënë dëshmi drejtpërdrejt në sallën e gjyqit dhe ka paraqitur rreth 3,000 prova materiale në disa gjuhë. Deri tani, ZPS-ja ka dorëzuar gjithashtu 1,430 parashtresa në lidhje me këtë çështje gjyqësore.
“Në procesin e paraqitjes së provave të saj, ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë. ZPS-ja paraqiti rreth 3 000 prova materiale në shumë gjuhë. Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore”, thuhet në njoftim.
“Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut. Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave.
Prokurorja e Specializuar Kimberly West ngriti lart kurajën e viktimave dhe dëshmitarëve që dhanë dëshmi në këtë gjyq gjatë dy viteve të shkuara.
‘Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit’, tha Prokurorja e Specializuar.
Prokurorja e Specializuar shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur që ZPS-ja të paraqiste provat e saj.
“Ne duhet gjithmonë të përballemi me krime si vrasja dhe tortura,” vazhdoi znj. West. “Për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta'”, thuhet më tej në njoftim.