Zyra për Pjesëmarrje të Viktimave (ZPV), ka dorëzuar raportin e gjashtë për aplikimet e viktimave për të qenë pjesëmarrës në procedurë, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Nga 50 sosh, sipas tyre 30 kanë plotësuar kushtet, dhe 20 të tjera jo, ku sipas raportit disa nga personat pretendojnë se janë viktima indirekte të zhdukjes me forcë dhe ndalimit të paligjshëm të një anëtari të ngushtë të familjes.
Përveç kësaj, disa të tjerë pretendojnë se janë viktima indirekte të rrëmbimit dhe vrasjes së anëtarëve të familjes së ngushtë, ndërsa disa të tjerë thonë se janë viktima të drejtpërdrejta të ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK, shkruan BetimipërDrejtësi.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Ata do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’iu rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se këto krime janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.
“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës
Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së i kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.
“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Një pesë e madhe e këtyre anekseve janë të redaktuara, që i bie se publiku i gjerë nuk ka çasje në shumë prej detajeve, siç janë emrat e shumë personave të përmendur.
Në aneksin 7 të aktakuzës së publikuar flitet edhe për një rast që supozohet se ka ndodhur në një konvikt në Komunën e Gjilanit.
Sipas këtij aneksi, viktima supozohet të ketë qenë civil dhe jo me uniformë ushtarake.