Pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore për masë të përkohshme, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu ka mbrojtur sërish vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Gjatë raportimit në Komision për Ekonomi, Fejzullahu tha se tarifat e energjisë me çmim të shtrenjtuar janë në fuqi, pasi ende s’ka vendim të prerë nga Gjykata, si dhe kanë shfrytëzuar të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit.
”Kemi marrë vendim të drejtë dhe jemi duke shfrytëzuar të drejtën e ankimit. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë, cilindo vendim që të jetë nga Gjykata e Apelit, ne do të respektojmë”, tha ai.
Ndër të tjerash, Fejzullahu para deputetëve, paraqiti edhe raportin e punës për vitin 2021. Sipas tij, sfidat kryesore kanë qenë kriza energjetike dhe shtrenjtimi i importit të energjisë.
”Çmimet e importit, sidomos tetor, nëntor dhe dhjetor janë pesëfishuar. Çmimi mestar për import të energjisë gjatë vitit 2020 ka qenë 51 euro, ndërsa në vitin 2021, 119 euro. Konsumi në Kosovë është duke u rritur, jo për shkak të industrisë, por për shkak të konsumit shtëpiak”, shtoi ai.
Në lidhje me humbjet e energjisë në veri, Fejzullahu tha se janë duke bërë përpjekje për përafrim në licencimin e Elektroserverit në veri.
Vlen të theksohet se më 9 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim të pezullojë, përkohësisht, ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Gjyqtari i rastit ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së, për shtrenjtim të energjisë deri në një vendim përfundimtar.
Ky vendim, ka ardhur pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përfaqësuar nga sekretari i Përgjithshëm, Bajrush Xhemajli, me propozim për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.
Gjykata pezullon vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e çmimit të rrymës