Kombëtarja e Shqipërisë po ‘vazhdon’ të rrëmbejë futbollistë nga Kosova. I fundit është qendërmbrojtësi, Elvir Zukaj, i cili duket se ka zgjedhur të përfaqësojë kuqezinjtë.
Të hënën, përzgjedhësi i Shqipërisë U-21 Alban Bushi publikoi listën e futbollistëve të grumbulluar për miqësoren kundër Bullgarisë U-21 më 20 qershor. Në mesin e tyre shihet edhe mbrojtësi Zukaj.
Burime të RTV Dukagjinit pranë futbollistit thanë se Kosova nuk ka shprehur interesim për 20-vjeçarin dhe kjo është një nga arsyet pse ai ka vendosur për Shqipërinë.
Megjithatë, këtë e mohoi përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U-21, Afrim Tovërlani.
Ai tha se Zukaj është kontaktuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe ka qenë në dijeni se në të ardhmen do të marrë ftesë.
“Elvirin e ka kontaktur zyrtari i Federatës para 2-3 ditësh dhe i ka treguar që në këtë grumbullim nuk mundemi ta ftojmë. Elviri ka thënë në rregull nuk ka problem se do e pres mundësinë time. Ai e ka ditur që shumë shpejt do të ftohet,” theksoi Tovërlani.
“Arsyeja pse nuk është ftuar tash është se ka qenë konkurrenca e madhe. Në pozitën ku luan Zukaj janë lojtarë si Arbnor Hasani që është kapiten i Winterthur U-21, Andi Hoti dhe Valon Zumberi,” tha Tovërlani për RTV Dukagjinin.
Në fund, trajneri i mirënjohur kosovar pati edhe një mesazh për futbollistët që po refuzojnë Kosovën për Kombëtare të tjera.
“Ata që e refuzojnë Kosovën tash, duhet ta dine se kthim prapa nuk do të ketë,” përfundoi Tovërlani.
Ndryshe, Elvir Zukaj konsiderohet si një futbollist me perspektiv në futbollin zviceran. Ai është pjesë e Grasshopper U-21.
Në sezonin 2022/23 me fanellën e skuadrës zvicerane, talenti 20-vjeçar ka zhvilluar 27 paraqitje dhe ka realizuar një gol. Në të gjitha takimet ka pasur minutazh të plotë.