Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, ka shprehur rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën në kërkesën për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
Duke folur për perspektivën e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane, Zulfaj shprehu bindjen se Kosova tashmë ka përmbushur kriteret e nevojshme për t’iu përshtatur standardeve evropiane.
“Për të drejtat e njeriut Kosova ka kushtetutën më të avancuar në Evropë, siç është vlerësuar nga juristët dhe i kalon standardet ndërkombëtare. Pra, kemi një kushtetutë të avancuar me të drejta të zgjedhuara për komunitetin serb. Një nga kriteret para anëtarësimit, Manastiri i Deçanit, u mor si vendim nga qeveria dhe nuk ka kërkesa e kritere shtesë. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, dhe ky është vlerësimi dhe vendimi i instancave të Këshillit të Evropës. Në këtë mes do duhej ndoshta të kishte përpjekje shumë më shumë edhe nga Shqipëria që të arrihet ky pajtim dhe të tejkalohet ky keqkuptim”, u shpreh ai.
Zulfaj në një intervistë për “Euronews Albania”, bëri thirrje për angazhimin e Shqipërisë në këtë drejtim, duke vlerësuar se një ndikim proaktiv i saj do të ishte jetik për përparimin e çështjeve të rëndësishme për Kosovën.
“Ne presim nga Shqipëria që ajo të luajë rol aktiv në këtë çështje, pasi kështu duhet të bëjë në këto çështje që kanë të bëjnë me afirmimin e shtetësisë së Kosovës. Ne presim që Shqipëria të jetë aktive dhe proaktive në këtë çështje”, tha Zulfaj.