Në pamje të parë të jep përshtypjen që është duke përfunduar projekti i një objekti të sapo përfunduar, por situata është ndryshe.
I ndërtuar shumë vjet më parë dhe i destinuar për Spital të Pediatrisë, ky objekt në Mitrovicë të Jugut nuk u përurua asnjëherë.
Ndonëse jo për të qenë në shërbim të fëmijëve, objekti ishte i hapur gjatë të enjtes së kësaj jave për punëtorët që të kryejnë renovimin, derisa xhamat që u vendosën ende pa u përuruar objekti, janë hedhur në mbeturina.
Ministria e Shëndetësisë thotë se spitali nuk është hapur shkaku i një vlerësimi për punën e bërë.
“Ministria e Shëndetësisë ka bërë vlerësim rreth gjendjes së Repartit të Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës dhe është bërë projektimi, ku pritet që të bëhet publikimi i aktivitetit të prokurimit për kryerjen e punimeve. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ShSKUK-në ka hartuar dhe finalizuar planin e veprimit në përputhje me raportin e vlerësimit të lartë përmendur. Në bazë të Planit të veprimit të Divizionit të Infrastrukturës në MSh, ky projekt pritet të finalizohet në fund të dhjetorit të këtij viti”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.
Ani pse nuk ka një përgjigje për datën kur do të hapet spitali, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Spitalin e Mitrovicës, Laura Nushi, thotë se funksionimi i Pediatrisë deri tash në një repart me ambiente të improvizuara, ka qenë mjerim.
“Sa ma shpejt që është e mundur, është çështje ditësh jo muajsh apo vitesh. Spitali I Pediatrisë është në spital të improvizuar dhe është mjerim aty ku punohet. Është në të mirë tonën që sa me parë mu funksionalizu ky spital”, ka thënë Laura Nushi.
Ndërtimi i këtij spitali kishte filluar në periudhën kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte Ferid Agani.
Atë kohë u tha se spitali do të ketë kapacitet prej 25 shtretërish, derisa për ndërtimin e tij ishte rreth 500 mijë euro.