Janë bërë plot 9 muaj që kur Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Por, edhe pas kaq shumë muajsh ky projektligj është duke u shqyrtuar në komisione të Kuvendit.
Projektligji, me anë të së cilit synohet që të dokumentohen krimet e kryera gjatë luftës, ka marr miratimin së fundmi edhe të disa prej deputetëve të komisionit për të drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.
Ata këtë të martë, kanë miratuar edhe amandamentet e komisionit funksional për Legjislacion.
Ndërkohë, duke pasur parasysh faktin që Kosova deri më tani nuk ka dokumentuar krimet e luftës, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thonë se kjo çështje do duhej të trajtohet me urgjencë.
“Ne e kemi parë që ky projektligj, është duke vazhduar qe disa muaj, dhe është mirë që kjo procedurë të përshpejtohet për arsye që tanimë për herë të dyte po themelohet ky institut dhe jemi me vonesë 24 vite, që nga përfundimi i luftës në Kosovë… Me kalimin e kohës edhe dëshimtarët okular të cilët kanë përjetuar luftën dhe kanë munndësi të dëshmojnë, tani më kanë ndërruar jetë dhe është me rëndësi që ky ligj të përshpejtohet”, ka deklaruar Amer Alija nga FDH-ja.
E Adnan Rrustemi, kryesues i komisionit për Legjislacion thotë se ky projektligj brenda dy javësh pritet të shkojë për votim në seancën e Kuvendit, dhe se vonesat janë për arsye të brendshme.
“Është e vërtet që ka kaluar një kohë, në procedura në seancë por kjo ka ardhur, për dy arsye, e para ka qenë që është fillimisht komisioni kishte themeluar një grup tjetër punues që e kryesonte nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci por e cila për shkak të problemeve shëndetësore, dhe pushimit që kishte marrë ishin vonuar në shqyrtim dhe e kemi themeluar një grup tjetër punues, të cilin e kryesojë unë dhe pastaj brenda një muaji e kemi përmbyllur punën e amandamenteve, dhe tash është në procedurë të Kuvendi”, ka deklaruar Adnan Rrustemi – deputet i LVV-së.
Instituti për Krime të Luftës ka qenë funksional nga vitit 2011 deri më 2018, por i njëjti ishte shuar, në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, me arsyetimin se zyrtarët nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre.
Kryeministri Kurti, e ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, vazhdimisht kanë përmendur themelimin e Institutit, e që më pas do të hartonin edhe padinë për gjenocid ndaj Serbisë, për krimet e kryera në Kosovë.