“Zymer Zymeri, më i keqi i sigurimit shtetëror” -ish e burgosura politike rrëfen për torturat që përjetoi nga shqiptarët e UDB-së

Naime Maqastena-Sherifi, ish- e burgosur politike, ndau përvojat e saj në “Debat Plus”, duke rrëfyer arrestimin e saj dhe torturat e përjetuara nga oficerët shqiptarë të UDB-së

Ish-e burgosura politike, Naime Maqastena-Sherifi, në një intervistë në “Debat Plus” në Televizionin Dukagjini, ndau historinë e saj nga fillimi i aktiviteteve për liri e deri te torturat në burgjet e pushtetit jugosllav nga bashkëpunëtorët shqiptarë të UDB-së.

Që në moshën 14-vjeçare, në vitin 1981, Maqastena u përfshi në demonstratat që zhvilloheshin atë kohë. Aktivitetet e saj fillestare përfshinin shpërndarjen e afisheve dhe të trakteve, si dhe shkrimin e parullave, me synimin për të përhapur vetëdijen për liri. Ajo thekson rëndësinë e mbajtjes gjallë të idesë së lirisë dhe mospranimin e jetesës nën diktaturë.

“Edhe njëherë me ngrit në këmbë atë idenë e lirisë, që njerëzit me kërku liri dhe që mos me pranu me jetu nën diktat”, ka thënë Maqastena-Sherifi.

Sa i përket UDB-së, ajo shpreh shqetësimin se ky mekanizëm ende operon në Kosovë, duke e quajtur një fatkeqësi për vendin. Maqastena pohon se UDB-ja ka shkaktuar shumë dëme në jetët e njerëzve në Kosovë, duke kontrolluar çdo aspekt të tyre dhe duke synuar shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, veçanërisht gjatë viteve dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar.

“Nuk mundet kurrkush me ma hekë bindjen që ata nuk janë ende këtu, fatkeqësisht… Mekanizëm që ka pasë kontroll mbi jetën e njerëzve”, ka shtuar ajo.

Ajo rrëfen momentet e arrestimit të saj në tetor të vitit 1986, kur, si një gjimnaziste, u kap nga tetë punëtorë të sigurimit të shtetit. Pas bastisjes së shtëpisë, ajo u mor në pyetje dhe u torturua nga Zymer Zymeri dhe të tjerë.

“8 punëtorë të sigurimit me dy vetura… ata bastisën shtëpinë. Në mesin e tyre ka qenë Xhavit Kuqi, Blerim Olloni, Lutfi Ajazi, Rifat Berisha, Fadil Hoti… Mas pari jam ballafaqu me personin që ndoshta muj me than ma i keqi në sigurim shtetëror që ka qenë, Zymer Zymeri”.

Kushtet e paraburgimit ishin të mjerueshme dhe ajo përjetoi tortura fizike dhe psikologjike të vazhdueshme, përfshirë rrahjet dhe pagjumësinë.

“Morën çka morën, bastisën shtëpinë edhe më morën mua me vete”, ka shtuar ish-e burgosura politike.

Maqastena tregoi se gjatë paraburgimit u përball me tortura të rënda nga Zymer Zymeri, Lutfi Ajazi, Blerim Olloni, dhe Bajram Munishi. Ajo përmendi se ligjet e kohës parashikonin që fëmijët nuk mund të merren në pyetje pa praninë e prindit apo të kujdestarit nga qendra për punë sociale, por në realitet kjo nuk respektohej.

Asnjëherë nuk kishte praninë e një punëtori social ose të prindit gjatë marrjes në pyetje, duke theksuar se prindërit nuk lejoheshin të jenë prezentë.

“Asnjëherë, asnjë punëtor social mu nuk më ka shoqëru, aq ma pak prindi, se nuk i kanë lënë”, ka shtuar Maqastena.

Një nga metodat më të përdorura për të thyer Maqastenën ishte mungesa e gjumit. Gjithashtu, ajo tregon se Blerim Olloni përdorte gënjeshtra për ta thyer emocionalisht, duke i thënë se babai i saj kishte vdekur dhe vetëm nëse do të pranonin akuzat, do të lejohej të shkonte në varrim.

“Nëse ti fol edhe nënshkruan që të që po të themi na, atëherë të qojmë në varrim për babën”.

Gjatë mbajtjes në burgun e Mitrovicës, ajo vuante nga probleme të rënda shëndetësore për shkak të torturave.

“Mua një muaj e më tepër më kanë ushqy në dhomë se s’kam mujt as lugën me mbajtë,” tha ajo.

Maqastena tregoi se Faik Nura ishte udbashi që e mori në pyetje babain e saj kur ata u kthyen nga Turqia në Kosovë për të jetuar. Ajo përshkroi komunikimin e babait të saj me Faik Nurën dhe Ibush Kllokoqin pasi e sjellën atë nga spitali në Mitrovicë, ku pa bijën e tij të rrahur rëndë.

“Më kujtohet që baba jem jav ka tërhekë vrejtjen dhe është dalë përjashta dhe ka bisedu me Faikun dhe Ibushin…kjo çka keni bë ju është e tmerrshme se kjo është fëmijë… dhe prej tash e tutje çkado që të ndodhë keni me pas punë me mu. Vetëm një fije floku nëse i prekni ma keni me pas punë me mu. Mos harroni se keni edhe ju fëmijë nëpër shpija, e jav pruft Zoti e i pafshi edhe ma zi”, ka treguar ish-e burgosura politike.

E, Bajram Munishi dhe Blerim Olloni ishin ata që e kishin rrahur edhe njëherë fortë pas takimit me babanë.

Edhe pas lirimit nga burgu, Maqastena ishte nën mbikëqyrje të rreptë nga sigurimi shtetëror dhe iu pamundësua vazhdimi i shkollimit. Dosja e saj në shkollë humbi, dhe vetëm pas ankesës së babait të saj në Komitetin Qendror, dokumentet u gjetën në sirtarët e sekretarit të shkollës. Pavarësisht suksesit që kishte, ajo nuk mundi të vazhdonte shkollimin në shkollën e dëshiruar dhe u detyrua të vazhdonte në shkollën e bujqësisë.

Presioni për familjen e Maqastenës u shtua sidomos pas vdekjes së babait të saj, dhe pengesat vazhduan edhe gjatë studimeve.

“Kisha shumë pengesa, ndoshta kishte shumë njerëz që kishin lidhje me sigurimin dhe thjesht nuk më linin të ec përpara”, ka thënë ajo.

Në vitin 1997, Maqastena punoi në Këshillin për të Drejtat e Njeriut dhe pati një përballje me Lutfi Ajazin dhe gruan e Bajram Munishit.

“Në këshill për të drejtat e njeriut në ’97-tën ka qenë një përvojë shumë e hidhun. Ka ardhë në zyre Lutfi Ajazi me gruan e Bajram Munishit. Atëherë Bajram Munishi kishte dalë në ekzil…ata e kërkonin një vërtetim që është pjesë e sindikatës tu mendu që njerzit nuk i njofin. Unë në bazë të emrit e disha kush janë, në fakt këtë Lutfinë e njifsha edhe si figurë… isha shumë e revoltume. Fola me Pajazit Nushin dhe me ata që ishin aty prezentë dhe ju thashë se nuk e di a ja vlen këtyre me ju lëshu vërtetim se kështu është puna. Me sa e di une, nuk ju kanë lëshu atë vertetim. Por, më vonë kam marrë vesh se edhe Blerim Olloni dhe Bajram Munishi kanë qenë në burg”, ka treguar Maqastena-Sherifi.

Ajo rrëfeu edhe për një takim të vitit 2001 me Xhavit Kuqin, që atëbotë ishte shef i sigurimit në OSBE.

“Unë isha me një konferencë në OSBE për antitrafikim… Unë e pashë prej distance, por ai ka ardhë dhe po ma mban jaknen tem (tek krahët) dhe tha zonja Maqastena. Unë i thashë, ti zotni mundesh me u largu sa se kom marë mikrofonin me kallxu kush je… nuk tha asgjë, ashtu me gjentilesë u largu”, ka treguar ish- e burgosura politike.

Ajo ka theksuar nevojën për një ligj të Lustracionit në Kosovë për të adresuar krimet e së kaluarës.

“Ata duhet me u tërheqë edhe në njëfarë forme duhet me kërku falje nëse dojnë me kërku falje këtyre qytetarëve, këtij populli për krejt çka kanë bë”, ka thënë Maqastena

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika