Zyrtarët amerikanë u kanë thënë aleatëve evropianë se duan që ata të vazhdojnë të blejnë armë të prodhuara nga Amerika, mes lëvizjeve të fundit nga Bashkimi Evropian për të kufizuar pjesëmarrjen e prodhuesve amerikanë në tenderët e armëve.
Sipas Reuters këtë informacion e kanë siguruar nga pesë burime.
Mesazhet e dërguara nga Uashingtoni në javët e fundit vijnë pasi BE-ja ndërmerr hapa për të nxitur industrinë e armëve të Evropës, duke kufizuar potencialisht blerjet e llojeve të caktuara të armëve amerikane.
Hapat e hershëm të politikës së jashtme të administratës Trump, duke përfshirë shkurtimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe lehtësimin e presionit ndaj Moskës, kanë nervozuar thellësisht aleatët evropianë, duke bërë që shumë njerëz të pyesin nëse Shtetet e Bashkuara janë një partner i besueshëm.
Në mesin e marsit, Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, propozoi rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe bashkimin e burimeve në projektet e përbashkëta të mbrojtjes, ndërsa Evropa ngërthehet për uljen e angazhimit ushtarak të SHBA nën Presidentin Donald Trump.
Disa nga masat e propozuara mund të nënkuptojnë një rol më të vogël për kompanitë jo të BE-së, duke përfshirë ato me bazë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, thonë ekspertët raporton Reuters përcjell Dukagjini.
Sipas burimeve të Reuters, në një takim të 25 marsit, Sekretari i Shtetit Marco Rubio u kishte thënë ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë se Shtetet e Bashkuara duan të vazhdojnë të marrin pjesë në prokurimet e mbrojtjes të vendeve të BE-së.
Sipas dy burimeve, Rubio tha se çdo përjashtim i kompanive amerikane nga tenderët evropianë do të shihej negativisht nga Uashingtoni, gjë që këto dy burime e interpretuan si referencë ndaj rregullave të propozuara të BE-së.