Izraeli duket të jetë pas një sulmi me dron gjatë natës në një fabrikë ushtarake në Iran, tha një zyrtar amerikan të dielën.
Irani pretendon se ka kapur dronët që goditën objektivin pranë qytetit qendror të Isfahanit dhe tha se nuk pati viktima apo dëme serioze.
Vlerësimi i shkallës së dëmit në mënyrë të pavarur nuk ishte i mundur. Media shtetërore iraniane publikoi një video ku shihet një shkëndijë në qiell dhe automjetet e urgjencës në vendngjarje, shkruan VOA.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite nuk pranoi të komentojë. Izraeli ka paralajmëruar prej kohësh se është i gatshëm të godasë objektivat iraniane në rast se diplomacia dështon të frenojë programet bërthamore ose raketore të Teheranit, por autoritetet e këtij vendi kanë një praktikë të përmbajtjes nga komentimi i incidenteve specifike.
Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Partick Ryder tha se asnjë forcë ushtarake amerikane nuk ishte e përfshirë në sulmet në Iran, por nuk pranoi të komentojë më tej.
Njoftimet rreth deklarimeve të zyrtarëve amerikanë mbi rolin e Izraelit në sulm u publikuan fillimisht në gazetën Wall Street Journal, duke cituar burime të paidentifikuara. Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, i tha agjencisë Reuters se duket se Izraeli ishte i përfshirë.
Disa zyrtarë të tjerë amerikanë nuk pranuan të komentojnë përtej asaj se Uashingtoni nuk luajti asnjë rol në sulm.
Teherani nuk fajësoi askënd zyrtarisht për atë që ministri i Jashtëm Hossen Amirabdollahian e quajti një sulm “frikacak” që synon të shkaktojë “pasiguri” në Iran. Por televizioni shtetëror transmetoi komentet e një ligjvënësi, Hossein Mirzaie, duke thënë se ka “spekulime të forta” se Izraeli qëndron pas tij.
Sulmi vjen në një periudhë tensionesh midis Iranit dhe Perëndimit rreth aktivitetit bërthamor të Teheranit dhe furnizimin me armë të Rusisë në luftën kundër Ukrainës, duke përfshirë “dronët sulmues” me rreze të gjatë , si dhe disa muaj demonstratash antiqeveritare në vend.
“Veprime të tilla nuk ndikojnë në vendosmërinë e ekspertëve tanë për të shënuar përparime në punën tonë paqësore bërthamore”, u tha gazetarëve ministri iranian i Mbrojtjes, Amirabdollahian.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte sulmi i parë izraelit në Iran nën udhëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanjahu, i cili u kthye në detyrë muajin e kaluar, qeveria më e djathtë në historinë izraelite.
Në Ukrainë, e cila akuzon Iranin për furnizimin e Rusisë me qindra dronë sulmues për të goditur objektivat civile, një ndihmës i lartë i presidentit Volodymyr Zelenskyy bëri një lidhje midis incidentit dhe luftës në vendin e tij.
“Natë me shpërthime në Iran. Ju kam paralajmëruar”, shkroi në Twitter, Mykhailo Podolyak.
Irani ka pranuar dërgimin e dronëve në Rusi, por thotë se ata janë dërguar para fillimit të sulmit të Moskës kundër Ukrainës vitin që shkoi. Moska kundërshton deklaratat se ushtria e saj përdor dronë iranianë, megjithëse shumë prej tyre janë rrëzuar dhe gjetur atje.
Bisedimet midis Iranit dhe fuqive botërore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 kanë ngecur që nga shtatori. Sipas marrëveshjes, nga e cila ishte tërhequr Uashingtoni më 2018 nën udhëheqjen e Presidentit të atëhershëm Donald Trump, Teherani binte dakord të kufizonte aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Sundimtarët klerikë të Iranit janë përballur po ashtu me trazira të brendshme gjatë muajve të fundit, pas demonstratave anti-qeveritare të nxitura nga vdekja në paraburgim e një gruaje që ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia e moralit për mënyrën se si kishte vendosur mbulesën e flokëve.